Kurti: Mbi 53% e rasteve të kancerit të gjirit u diagnostikuan në fazat e hershme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se mbi 53.4 për qind e rasteve të kancerit të gjirit në Kosovë u diagnostikuan në stadet e hershme gjatë vitit të kaluar. Këtë deklaratë, kreu i qeverisë e dha në hapjen e fushatës “Tetori Rozë”, duke theksuar rëndësinë jetike të kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm të sëmundjes.
Kurti bëri të ditur se gjatë vitit 2023, në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja të kancerit të gjirit, prej të cilave 592 te gratë dhe 9 te burrat. Ai theksoi se falë shtimit të pajisjeve diagnostikuese dhe fushatave ndërgjegjësuese, është shënuar një përparim i ndjeshëm në diagnostikimin e hershëm. Deri në vitin 2022, shumica e rasteve diagnostikoheshin në fazën e tretë ose të katërt të sëmundjes. Megjithatë, për shkak të punës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe bashkëpunimit me organizatat joqeveritare, në vitet 2023 dhe 2024 shumica e rasteve u zbuluan në fazën e parë ose të dytë. Ky trend pozitiv u konfirmua edhe vitin e kaluar, kur mbi 53.4% e rasteve u diagnostikuan në stadet fillestare, duke rritur ndjeshëm mundësitë për trajtim dhe shërim.
Kryeministri bëri thirrje që shqetësimet të mos injorohen dhe kontrollet mjekësore të mos shtyhen, pasi zbulimi i hershëm është thelbësor për shpëtimin e jetës. Ai shprehu falënderimet e tij për të gjitha organizatat që, përmes punës së tyre të përditshme, u qëndrojnë pranë grave dhe familjeve të tyre.
Kurti theksoi se që nga viti 2023, mamografia ofrohet falas në shëndetësinë publike. Ai njoftoi se së fundmi, një mamograf i ri është blerë dhe është tashmë funksional në Fushë Kosovë. Gjithashtu, në Klinikën e Onkologjisë janë vendosur dy akseleratorë të rinj, njëri prej të cilëve është i pajisur me sistemin CRAD, që mundëson realizimin e radioterapisë me saktësi të lartë dhe është i vetmi i tillë në rajon.
Përveç kësaj, kreu i qeverisë bëri të ditur se këtë vit do të vijnë edhe 8 mamografë të tjerë dixhitalë, të cilët do të shpërndahen në komunat e Kosovës ku aktualisht nuk ka pajisje të tilla.
