Kryeministri Albin Kurti theksoi nevojën për një strategji serioze dhe të mirëpërgatitur në lidhje me Dhomat e Specializuara në Hagë, duke kritikuar vendimet e nxituara. Gjatë një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, Kurti deklaroi se ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar janë bërë me ngut dhe nuk janë analizuar si duhet.
Ai argumentoi se koha e dhënë për shqyrtimin e projektligjit ka qenë shumë e shkurtër dhe kërkoi që çështja të trajtohej me seriozitet më të madh.
“Koha ka qenë shumë e shkurtër për ta analizuar si duhet ligjin. Ne konsiderojmë se këto propozime për ndryshime janë të nxituara dhe nuk janë analizuar sa duhet. Vendime të nxituara janë marrë edhe në vitet 2013 dhe 2015, kur është votuar. Atëherë s’na keni dëgjuar. Të paktën sot duhej të na ishit konsultuar dhe çështja të trajtohej seriozisht,” tha Kurti, duke iu drejtuar deputetëve.
Kryeministri pohoi se përgjegjësia për problemet që lidhen me Gjykatën Speciale u takon atyre që e themeluan atë, jo subjekteve që e kundërshtuan.
“Ankesat për gjykatën duhet t’u drejtohen atyre që e themeluan, jo atyre që e kundërshtuan. Përgjegjësinë e mbajnë ata që e themeluan,” theksoi Kurti.
Pavarësisht kritikave, Kurti bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë projektligjin, por paralajmëroi se me këtë votë duhet të merret edhe përgjegjësia politike për hapat e mëtejshëm.
“Ne s’po ju pengojmë. Por bashkë me këtë votë duhet ta merrni edhe përgjegjësinë politike. Adresa e fitores është Apeli. Për fitore nevojitet organizim dhe strategji,” u shpreh ai.
Sipas Kurtit, Kosovës i duhet një organizim mbarëkombëtar dhe një strategji e qartë për proceset në Hagë.
“Na duhet strategji serioze për Hagën, por edhe institucione funksionale dhe qeveri e qëndrueshme,” shtoi Kurti.
Ai theksoi se çështja e Hagës nuk mund të trajtohet e shkëputur nga stabiliteti institucional i Kosovës.
“Një ligj për Hagën pa stabilitet institucional dhe pa president rrezikon dështimin. Duhet ligj për Hagën dhe president në Kosovë,” deklaroi Kurti.
Në fund, Kurti falënderoi deputetin Armend Hamza për takimet që i vlerësoi si konstruktive, duke njoftuar se do të ketë takime të tjera gjatë ditës.
“Duhet të ecim përpara të gjithë bashkë,” përfundoi kryeministri.
