Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ekziston “vullnet dhe gatishmëri” e dy partive kryesore, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja të vendit gjatë javës së ardhshme, para seancës konstituive të Kuvendit.

LVV-ja dhe LDK-ja pritet të rifillojnë bisedimet, të cilat ishin pezulluar muajin e kaluar pas votëbesimit brendapartiak, që lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kaloi këtë javë.

I pyetur të shtunën mbrëma lidhur me rifillimin e takimeve me Abdixhikun, ndërsa po afron seanca konstituive e Kuvendit më 6 gusht, Kurti theksoi: “Do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për seancën konstituive të institucioneve të legjislaturës së 11-të.”

“Megjithatë, rezultati nuk mund të parashikohet ende, por përpjekjet nuk do të mungojnë. Interesi, vullneti dhe gatishmëria ekzistojnë, ndërsa gjithçka do të qartësohet javën e ardhshme,” tha Kurti për “Ekonomia Online”, pas një aktiviteti të partisë së tij në Prishtinë, kushtuar mirëseardhjes së mërgimtarëve.

Ndërkohë, të shtunën, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i deklaroi “Radios Evropa e Lirë” se gjatë një kuvendi partiak të enjten, ishte arritur pajtueshmëri që partia të bashkëpunojë me partinë fituese për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

LDK-ja tashmë ka caktuar disa parime si parakushte për një marrëveshje të mundshme me LVV-në, duke përfshirë: marrëveshje për të gjitha institucionet (Kuvendin, Qeverinë, Presidencën) ose asnjë; agjenda shtetërore, politika sektoriale, programet qeverisëse, interesi i vendit si dhe ndarja e përgjegjësive.

“Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Kuvendi [i LDK-së] ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave [me LVV-në],” tha Haziri.

Kurti, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, ka nevojë për një marrëveshje me opozitën për të siguruar zgjedhjen e presidentit të ri dhe për t’i dhënë fund krizës së gjatë politike e institucionale.

Partia e tij fitoi 53 mandate dhe, duke marrë parasysh bashkëpunimin e deritanishëm të Kurtit me partitë e pakicave joserbe – të cilat zotërojnë 10 vende – ai pritet të sigurojë votat e nevojshme prej të paktën 61 për të konstituuar Kuvendin dhe formuar Qeverinë e re.

Megjithatë, për votimin e presidentit të Kosovës, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende, që votimi të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila fitoi 18 vende, do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë. Prandaj, çështja e presidentit pritet të jetë në qendër të bisedimeve mes Kurtit dhe Abdixhikut.

**Skepticitizmi i analistëve**

Njohësit e zhvillimeve politike shprehin skepticizëm se zhvillimet e fundit në LDK, si dhe pozicionimi i përgjithshëm i partive politike, japin sinjale premtuese dhe të sigurta për formimin e institucioneve të reja.

Sipas tyre, rezultati i ngushtë i votimit pro dhe kundër vazhdimit të mandatit të Abdixhikut si kryetar, rikonfirmon ekzistencën e çarjeve të thella ndërmjet dy taborëve brenda LDK-së.

Analisti Rrahman Paçarizi, profesor i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, i tha “Radios Evropa e Lirë” se deklarata e Hazirit, se LDK-ja do të shkojë drejt një marrëveshjeje me LVV-në në rast se kjo e fundit respekton parimet e deklaruara, nuk e qartëson situatën.

“Më shumë është në funksion të ndërtimit të rrëfimit se LDK-ja nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet si bllokuese e formimit të institucioneve,” shtoi Paçarizi.

Ai sheh pak gjasa që të gjendet një formulë nga kryetari i LDK-së, por edhe nga tabori i pakënaqur brenda kësaj partie, për të krijuar një qëndrim të përbashkët të 18 deputetëve ndaj një marrëveshjeje të mundshme me LVV-në.

Edhe analisti Artan Muhaxhiri theksoi se, pavarësisht rikonfirmimit të mandatit të Abdixhikut në krye të partisë, përplasjet e brendshme në LDK sugjerojnë se një marrëveshje e mundshme me LVV-në nuk do të gjejë mbështetjen e të gjithë 18 deputetëve të saj në Kuvend.

“Ai ka mbështetjen e të paktën gjashtë ose shtatë deputetëve më pak se numri i përgjithshëm i grupit parlamentar. Kështu që Abdixhiku ka vetëm një detyrë, të ndryshojë për 180 shkallë qasjen ndaj deputetëve të pakënaqur dhe personaliteteve shumë të rëndësishme të LDK-së, të cilët kundërshtojnë mënyrën e lidershipit të tij,” theksoi Muhaxhiri.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Në rast se vendi shkon në zgjedhje sërish, ato do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare brenda një periudhe të shkurtër kohore.