**Kurti viziton Myftiun Tërnava për Kurban Bajram: “Sakrifica na solli liri dhe prosperitet”**
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës. Vizita u realizua me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Gjatë takimit, Kurti i uroi Myftiut Tërnava dhe të gjithë besimtarëve myslimanë festën e shenjtë, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite.
Kurti theksoi se vizita në Bashkësinë Islame të Kosovës për Kurban Bajram është një traditë e përvitshme. Ai vuri në dukje se kjo festë e sakrificës na kujton vazhdimisht se “edhe sakrifica është festë, sepse ne i gëzojmë të mirat dhe frytet e atyre që kanë sakrifikuar para nesh dhe kanë mundësuar që ne të kemi liri e prosperitet”.
Kryeministri përmendi si shembull kryesor të kësaj sakrifice dëshmorët e kombit. “Asnjëherë nuk e harrojmë që aty janë edhe 37 imam hoxhallarë nga lufta,” deklaroi Kurti.
