**Kandidatët për anëtarin jo-prokuror të KPK-së: Çfarë përmbajnë platformat e tyre konceptuale**
Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 27 shkurt 2026, ka shpallur konkursin për zgjedhjen e një anëtari jo-prokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Shtatë kandidatë do t’i nënshtrohen procesit të intervistimit për këtë pozitë, raporton “Betimi për Drejtësi”, sipas ftesës së Kuvendit për monitorimin e procesit.
Lista e kandidatëve për pozitën e lirë është si vijon:
* Arlinda Muqa;
* Artan Fejzullahu;
* Hysni Mustafa;
* Mentor Beqiri;
* Nevoite Nezaj;
* Ramadan Gashi;
* Sadat Lekiqi.
Pas ndryshim-plotësimeve të Ligjit për KPK-në, Këshilli Prokurorial parashihet të ketë shtatë anëtarë. Aktualisht me gjashtë anëtarë, ky konkurs do të plotësojë të gjitha vendet e lira.
Më poshtë paraqitet përmbledhja e dokumenteve konceptuale të publikuara në faqen zyrtare të Kuvendit për secilin kandidat:
**Arlinda Muqa:**
Në dokumentin e saj konceptual, Arlinda Muqa thekson përvojën e gjatë në monitorimin sistematik të sistemit gjyqësor dhe në analizimin e vendimeve sipas standardeve ndërkombëtare dhe legjislacionit vendor. Ajo është angazhuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, me theks të veçantë tek ato të pakicave kombëtare. Gjatë monitorimit të proceseve gjyqësore, Muqa është përkujdesur për zbatimin e legjislacionit, ka hartuar raporte, ka siguruar respektimin e gjuhës dhe është marrë me trajtimin e rasteve të diskriminimit. Përvoja e saj në monitorim i ka ndihmuar në përcaktimin e metodologjive dhe strategjive për arritjen e objektivave si anëtare jo-prokurore në Këshill. Vizioni dhe misioni i saj synojnë të ndihmojnë në paraqitjen e një kulture institucionale gjithëpërfshirëse, bazuar në komunitetin rom nga i cili vjen.
**Artan Fejzullahu:**
Artan Fejzullahu thekson se puna e tij do të bazohet në parimin e transparencës dhe trajtimit të barabartë të të gjithëve. Përvoja e tij akademike dhe ekspertiza do të ndihmojnë KPK-në në forcimin e pavarësisë, transparencës dhe profesionalizmit. Ai ka ushtruar funksione koordinuese dhe menaxheriale, si dhe si profesor ka mbikëqyrur mbarëvajtjen e proceseve mësimore. Me përvojën e tij, Fejzullahu synon të rrisë profesionalizmin dhe të japë kontribut në analiza shkencore.
**Hysni Mustafa:**
Hysni Mustafa thekson një përvojë pune prej 15 vitesh në institucionet e Republikës së Kosovës. Ai ka hartuar akte juridike bazuar në fakte, pa konsiderata jashtëligjore. Mustafa njeh tri gjuhë dhe formimi i tij akademik, përfshirë studimet në Turqi, i mundëson akses të drejtpërdrejtë në analiza krahasuese gjatë punës. Vizioni i tij për KPK-në bazohet në tri shtylla: pavarësia institucionale, llogaridhënia para qytetarëve dhe rritja profesionale brenda sistemit prokurorial. Ai synon të sjellë eksperiencë institucionale, pavarësi dhe një vizion reformues.
**Mentor Beqiri:**
Mentor Beqiri, avokat, thekson se e ka ushtruar profesionin bazuar në parimet e profesionalizmit dhe paanshmërisë. Ekspertiza e tij është e fokusuar në fushën penale, përfshirë rastet komplekse, dhe ka ushtruar rolin e avokatit edhe në Hagë, Holandë. Aftësitë e tij menaxheriale janë të ndërtuara mbi vendimmarrje strategjike dhe të planifikuar. Beqiri synon të jetë praktik, i paanshëm dhe i orientuar drejt rezultateve konkrete.
**Nevoite Nezaj:**
Nevoite Nezaj thekson përvojën e saj në administratën publike dhe udhëhiqet nga parimet e integritetit, ligjshmërisë dhe proporcionalitetit të të drejtave themelore. Ajo ka ofruar mbështetje ligjore për grupet punuese duke ruajtur një pozicion të pavarur, pavarësisht presioneve për zgjidhje që bien ndesh me standardet juridike. Ekspertiza e saj kryesore është në fushën kushtetuese, Bashkimin Evropian dhe harmonizimin e legjislacionit me të drejtën ndërkombëtare. Qëllimi i saj për KPK-në është ndërtimi i një institucioni të besueshëm, profesional dhe transparent.
**Ramadan Gashi:**
Ramadan Gashi thekson se gjatë punës ka vënë theksin te pavarësia në vendimmarrje, paanshmëria, objektiviteti, respektimi i ligjit dhe menaxhimi i drejtë i konfliktit të interesit. Ai synon që proceset në KPK të zhvillohen mbi bazën e rekrutimit të drejtë, me arsyetime të qarta ligjore dhe me balancim mes pavarësisë institucionale dhe llogaridhënies. Gashi thekson se do të jetë i përkushtuar për një qasje profesionale, të paanshme dhe strategjike.
**Sadat Lekiqi:**
Sadat Lekiqi thekson se ka punuar në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, ku ka qenë i përfshirë në hetimin e sjelljeve të pahijshme të prokurorëve. Gjatë ushtrimit të detyrave, ai nuk ka lejuar ndikime nga jashtë dhe ka qenë i përkushtuar në vendimmarrje ligjore. Ai ka refuzuar çdo kërkesë për trajtim preferencial apo devijim nga procedurat ligjore. Lekiqi synon të angazhohet për vendime disiplinore ligjore dhe të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucionit para publikut.
