Ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe, po kalon në një formë të jashtëzakonshme që nga fillimi i këtij sezoni.
Francezi vjen pas një paraqitjeje fantastike në “El Clasico” kundër Barcelonës fundjavën e kaluar, ku realizoi dy gola.
Mbappe përjetoi një moment të veçantë në “Spotify Camp Nou”, ku arriti shifrën e 100 golave me fanellën e “Los Blancos”, duke ndihmuar skuadrën e Jose Mourinhos që ta zvogëlojë në tri pikë diferencën me rivalin.
Sipas “Diario AS”, Mbappe tashmë e ka në shënjestër edhe një tjetër rekord të jashtëzakonshëm.
Pasi ka shënuar kundër të gjitha 23 skuadrave me të cilat është përballur në La Liga, 27-vjeçari ka mundësinë që ta çojë këtë shifër në 24.
Që nga transferimi te Real Madridi në vitin 2024, francezi ka realizuar 67 gola në 75 paraqitje në kampionatin spanjoll. Paraqitjet e tij individuale kanë qenë vazhdimisht mbresëlënëse.
Është e jashtëzakonshme që çdo kundërshtar me të cilin është përballur në La Liga ka pësuar të paktën një gol nga Mbappe.
Malaga dhe Elche janë dy skuadrat e fundit që i janë shtuar kësaj liste gjatë këtij sezoni.
Tashmë, Racing Santander pritet të bëhet kundërshtari i 24-të i ndryshëm ndaj të cilit mund të shënojë francezi në La Liga.
Skuadra që ka pësuar më së shumti gola nga Mbappe është Real Sociedad. Klubi bask i ka pranuar shtatë gola nga francezi, i ndjekur nga Barcelona me gjashtë, ndërsa Villarreal dhe Sevilla kanë pësuar nga pesë gola secila.
Mbappe vjen në këtë ndeshje në formë të shkëlqyer, pasi ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar një asistim në pesë paraqitjet e fundit.
Francezi deri më tani ka realizuar 14 gola në të gjitha garat këtë sezon. Prej tyre, 11 janë shënuar në La Liga, duke e renditur në vendin e dytë në garën për çmimin “Pichichi”, që i takon golashënuesit më të mirë të kampionatit.
Rëndësia e tij për skuadrën dëshmohet edhe nga pikët që “Los Blancos” do t’i kishin humbur në mungesë të golave të tij.
Pa realizimet e Mbappes, skuadra e Mourinhos do të kishte shtatë pikë më pak në kampionat dhe katër pikë më pak në Ligën e Kampionëve.
Trajneri portugez ka besim të jashtëzakonshëm te ylli i tij, duke e aktivizuar nga minuta e parë në çdo ndeshje. Për më tepër, Mbappe ka luajtur më shumë minuta se çdo futbollist tjetër në skuadër.
Francezi do të synojë ta vazhdojë serinë e tij të golave edhe kundër Racing Santanderit, në ndeshjen që do të zhvillohet të dielën në stadiumin “El Sardinero”.
Shënimi i golit ndaj një kundërshtari të 24-të të ndryshëm në La Liga do të përbënte një rekord të jashtëzakonshëm, ndërsa mbetet të shihet nëse Mbappe do t’ia dalë ta arrijë këtë sukses ndaj Racingut./GazetaExpress/
