Në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është lansuar shërbimi digjital për “ngjarjen jetësore: lindja e fëmijës” që do të thjeshtësojë vendosjen e informatave në mënyre digjitale, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka treguar procedurën se sa e shpejtë është mënyra e vendosjes së informacioneve me digjitalizim.

Sipas tij, ky shërbim i ri është integruar në platformën eKosova e që lehtëson procedurat për prindërit që nga momenti i lindjes së fëmijës.

“Sot ishim dëshmitarë që pas një pune tash e disa muaj, sa shpejt ndodh në mënyrë digjitale regjistrimi i një foshnje që në pyetjen për sa ndodh zakonisht, me të gjitha informacionet brenda nuk zgjat më shumë se 3-4 minuta.

Ky projekt pra është një shërbim i ri digjital i integruar në platformën eKosova që lehtëson procedurat për prindërit që nga momenti i lindjes së fëmijës. Përmes këtij sistemi të gjitha të dhënat, siç e pamë edhe brenda dhe shërbimet që lidhen me lindjen e fëmijëve, procedohen automatikisht nga spitali tek institucionet përkatëse pa pasur nevojë që prindërit të paraqiten fizikisht në një institucion tjetër pas lindjes së fëmijës në klinikën e gjinekologjisë.

Në këtë fazë përfshihen regjistrimi i të posalindurit në sistemin informativ shëndetësor, aplikimi për shtesat për lehonat dhe fëmijën, regjistrimi i vaksinave, një hap shumë i rëndësishëm për mbikëqyrjen e vaksinimit në Republikën e Kosovës dhe Hapja e llogarive në platformën eKosova si dhe njoftimi elektronik i institucioneve përkatëse.

Platforma ofron gjithashtu informacione për secilën fazë, pra nga para lindjes, para shtatzënisë, gjatë shtatzënisë, lindjes e deri te zhvillimi i hershëm i fëmijës. Kur të hyni në platformën eKosova te shërbimi ‘Lindja e fëmijës’, do të shihni të listuara edhe 245 shërbime dhe në momentin që e shkruani vendbanimin tuaj, automatikisht do t’ju shfaqen institucionet më të afërta shëndetësore ku nënat e reja dhe fëmijët mund t’i marrin shërbimet e tyre.

Ky projekt, siç jeni në dijeni, tashmë ka filluar dhe po zbatohet edhe në spitalin e Gjilanit dhe në atë të Ferizajt. Ka qenë si pilot projekt në dy spitale më të vogla për të ardhur sot kjo ditë në klinikën më të madhe të gjinekologjisë në vend, ku ka më së shumti lindje, pra në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK dhe shumë shpejt, shumë shpejt kjo do të përhapet në të gjitha maternitetet në Republikën e Kosovës.

Digjitalizimi i shëndetësisë natyrisht siç kemi thënë mbetet një nga prioritetet tona. Jemi duke punuar çdo ditë në këtë drejtim dhe kjo që sapo e pamë sot është edhe një hap tutje rreth këtij realizimi të këtij shërbimi kaq të nevojshëm, sepse siç e patë edhe ju, në momentin e regjistrimit merr kohë më pak, regjistrohet menjëherë pa pasur nevojë për telashe të tjera në institucione të tjera apo ndonjë gabim që mund të përcillet eventualisht, gabim nga mbushjet me dorë qysh kanë qenë më herët”, tha Vitia.

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu tha se ky shërbim do të bëhet edhe në vende tjera si Prizren, e Vushtrri e pastaj edhe në Pejë e Gjakovë.

“Në vitin e kaluar kemi lansuar pilotin e shërbimeve të integruara që lidhen me lindjen e fëmijës në spitalin e Gjilanit dhe Ferizajt.

E përmendi ministri, tashmë e kemi në plan gjatë javës me vazhdu shtrirjen edhe në Prizren edhe në Vushtrri, e pastaj edhe në Pejë dhe Gjakovë. Kjo do të pasohet edhe me shtrirjen e sistemit edhe në maternitetet private.

Ofrimi i shërbimeve bazuar në ngjarje jetësore është një prej reformave më rrënjësore në kuadër të reformës së administratës publike. Kjo paraqet një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si ofrohen shërbimet, duke kaluar nga qasja ku institucioni është në qendër drejt një qasjeje ku qytetari është në qendër. Qysh ne e dimë të gjithë, tradicionalisht institucionet shtetërore ofrojnë shërbime tu u nis prej kompetencave të veta ligjore. Po jo domosdo kjo është mënyra më e përshtatshme për qytetarin.

Qytetarët çdo ditë ballafaqohen me ngjarje jetësore, siç janë lindja e fëmijës, vdekja e një të afërmi, martesa, punësimi, hapja e një biznesi. Prandaj edhe pritshmëria e tyre, meqenëse çdoherë kur ballafaqohen me këto ngjarje jetësore, ata kanë nevojë të drejtohen te institucione të ndryshme edhe në sportele të ndryshme. Pritshmëria e tyre është që këto shërbime t’i marrin në formë të integruar, pa i ditë kufijtë e kompetencave ligjore të institucioneve. Pra, ky është qëllimi i ofrimit të shërbimeve të integruara.

Synimi i dytë është ofrimi i shërbimeve proaktive. Për shkak se për shumë shërbime nuk ka nevojë qytetari fare të aplikojë, për shkak se lindin prej një të drejte ose një benefiti që i takon sipas ligjit.

Dhe e treta, meqenëse shteti përmes regjistrave posedon informata për qytetarët, përmes interoperabilitetit këto të dhëna mund të shkëmbehen ndërmjet sistemeve edhe në këtë formë të ofrohen shërbime më të personalizuara që i marrin parasysh rrethanat jetësore të secilit qytetar.

Edhe tu u bazu në këtë koncept të shërbimeve, sot erdhëm në QKUK për të parë nga afër se si po zbatohet në praktikë implementimi i shërbimeve të integruara që kanë të bëjnë me lindjen e fëmijës. E pamë që në mënyrë të lehtë personeli shëndetësor merr informata në formë elektronike përmes tabletit dhe pastaj këto informata shkëmbehen me regjistrat dhe sistemet e shtetit, duke përfshirë regjistrin civil, regjistrin e shtesave për nëna lehona dhe për fëmijë, pastaj me regjistrin e vaksinave.

Pra, këto janë informata që janë shkëmby në të kaluarën, por janë shkëmby me letër. Sot informatat mblidhen në formë elektronike edhe shkëmbimi i informatave ndodh në mënyrë elektronike. Kjo paraqet një lehtësim të madh për prindërit e rinj, për shkak se e zvogëlon interaksionin me institucionet, për shkak se pra siç thamë, shumë procese ndodhin në mënyrë automatike sa i përket menaxhimit të procesit të vaksinimit, inicimit të procedurave për shtesa, si dhe inicimit të regjistrimit të fëmijës së sapolindur në regjistrin civil”, tha Jagxhiu.

Ndërsa, ambasadori gjerman në Kosovë Rainer Rudolph tha se çdo iniciativë që ua lehtëson jetën qytetarëve e në veçanti nënave është e mirëseardhur.

“Siç e dimë, mirëpritja e një foshnjeje të porsalindur në familjen tuaj është një moment i mrekullueshëm, por mund të jetë gjithashtu një moment paksa stresues për prindërit.  Prandaj, mendoj se çdo gjë që ua lehtëson jetën nënave dhe familjeve në atë moment të jetës është një gjë e mirë. Përtej kësaj, mendoj se është shumë e rëndësishme të tregojmë se kur flasim për një shtet modern, administratë moderne dhe shërbime moderne për qytetarët, kjo nuk është thjesht një gjë abstrakte që ndodh diku tjetër, por është në fakt diçka që i shërben çdo qytetari dhe çdo familjeje. Dhe jam shumë krenar që arritëm të ndihmonim pak përmes GIZ-it në zbatimin e këtij projekti”, tha Rudolph.