LDK: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, gurthemeli i shtetësisë së Kosovës
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka përkujtuar 36-vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, duke e cilësuar atë si aktin historik që hodhi themelet juridike dhe politike të shtetësisë së Kosovës.
Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në Facebook, LDK ka theksuar se në rrethana tejet të vështira, nën rrethim ushtarak dhe presion të ashpër nga regjimi serb, 114 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës shpallën Kosovën si njësi të barabartë dhe të pavarur brenda federatës së atëhershme jugosllave. Ata shprehën qartë vullnetin e palëkundur të popullit për liri, pavarësi dhe demokraci.
Partia thekson se lëvizja gjithëpopullore, e udhëhequr nga Presidenti Historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, arriti të unifikojë popullin rreth kësaj kauze, vendosi bazat juridike dhe institucionale të shtetësisë, si dhe siguroi përkrahjen e botës demokratike. Këto përpjekje madhështore, shton LDK, u pasuan nga lufta çlirimtare e popullit të Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-s, të cilat sollën përfundimisht lirinë në Kosovë.
Në këtë datë të rëndësishme, LDK shpreh mirënjohje për delegatët e Kuvendit të 2 Korrikut, për guximin e treguar në kushte shumë të rënda dhe për artikulimin e qartë të vullnetit të popullit për liri dhe pavarësi.
Sipas LDK-së, Deklarata e 2 Korrikut mbetet një gurthemel i palëkundur në ndërtimin e shtetit tonë, një pikë kthese kyçe në historinë moderne të Kosovës dhe një dëshmi e qartë e aspiratës për integrim euroatlantik – në NATO, Bashkimin Evropian dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
