Lideri i së djathtës britanike, Nigel Farage, po përballet me akuza nga partitë rivale se ka shkelur rregullat parlamentare, pasi nuk ka deklaruar një donacion të madh të marrë nga një investitor i kriptomonedhave.
Sipas rregullave në fuqi në Mbretërinë e Bashkuar, deputetët duhet të deklarojnë brenda një muaji nga marrja e mandatit çdo donacion të përfituar gjatë vitit para zgjedhjeve. Farage ka pranuar se ka marrë mbi 1 milion paund nga investitori Christopher Harborne për të mbuluar kostot e sigurisë personale, pak para se të shpallte kandidaturën për zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, duke argumentuar se kjo nuk përbën donacion politik.
Megjithatë, Partia Konservatore e ka referuar çështjen pranë Komisionerit për Etikën Parlamentare, ndërsa Partia Laburiste në pushtet deklaron se lideri i Reform UK mund të ketë shkelur rregullat.
Nga ana tjetër, Reform UK mbron qëndrimin se shuma e përfituar nuk kishte detyrim të deklarohej, pasi konsiderohet “dhuratë personale” dhe nuk hyn në kategorinë e donacioneve politike.
Vetë Farage zbuloi detajet e kësaj shume pasi u pyet nga gazeta The Guardian, e cila raportoi se vlera e saj mund të arrijë deri në rreth 5 milionë paund.
Sipas raportimeve, rreth dy të tretat e financimeve të Reform UK gjatë vitit të kaluar kanë ardhur pikërisht nga Harborne, një biznesmen që jeton në Tajlandë. /Panorama
