Me rastin e planifikimit të ekskursionit në Shqipëri, për shkak të situatës, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka propozuar që ekskursioni i maturantëve të shtyhet për një kohë tjetër.

Deklarata e Lladrovcit në fb:

Shumë i nderuari drejtor, profesorë e maturantë të Gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”,

Jam thellë i bindur se ekskursioni Juaj është një ngjarje e paharrueshme për secilin nga ju, shto këtu emocionin e madh për të vizituar Shqipërinë.

Rekomandimi im është të shtyhet ekskursioni për një kohë të përshtatshme, brenda këtij viti shkollor, kur siguria Juaj është e padiskutueshme dhe pa rreziqe.

Ekskursioni shënon gëzimin e përbashkët të gjeneratës që vulos ndjenjat e secilit maturant dhe do të mbetet në kujtesë si kulmi i një shoqërimi të moshës më të çmuar.

Ju jeni krenaria jonë dhe nuk guxojmë të marrim vendime në dëm të jetës dhe sigurisë Tuaj. Provokimi nga turmat, apo dezinformatat për praninë tuaj mund të sjellin situata të rënda e mosmarrëveshje të padëshirueshme.

Situata aktuale në Shqipëri, është e tendosur.

Prania Juaj, me atdhetarizmin si traditë, fare lehtë mund të provokoheni dhe të bëheni pjesë e lajmeve të padëshirueshme.

Në këtë rast, jeta dhe siguria Juaj për mua është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër në botë.

Si prind, ashtu si prindërit Tuaj të cilët kanë shprehur brengë për sigurinë Tuaj, jemi të bindur dhe të pajtimit që ekskursioni të shtyhet për kohë të përshtatshme.

E di se energjia juaj si maturantë është mbresëlënëse, atdhedashuria dhe mosha juaj nuk guxon të provokohet apo të rrezikohet nga situatat që mund të ndodhin gjatë ekskursionit.

Me nderime,
Ramiz Lladrovci