Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka refuzuar zyrtarisht rikthimin e Fatmir Limajt në radhët e saj.
Pas këtij vendimi, ka reaguar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili përmes një postimi në Facebook theksoi se po ripërsëritet një model ndikimi nga kryesia e PDK-së, ku Bedri Hamza paraqitet si humbës, ndërsa Fatmir Limaj si i pamerituar për t’u përfshirë në listë.
Lladrovci shtoi se personat që nxisin këtë narrativë janë pikërisht ata që, sipas deklaratës së tij, nuk patën guximin të përballeshin me pushtetin dhe qytetarët ndër vite.
Më tej, ai shprehu bindjen se anëtarësia e gjerë e PDK-së, simpatizantët dhe qytetarët do të vazhdojnë të mbështesin partinë, figurat e saj kryesore dhe ish-udhëheqësit e luftës dhe paqes.
“Anëtarësia e gjerë, simpatizantët dhe qytetarët, do të jenë në përkrahje të PDK-së, të heronjve tanë të luftës e paqes dhe të Bedri Hamzës!” ka shkruar Lladrovci.
