Llapi – Drita: Dueli që hap xhiron e 10-të të kampionatit
Sot, në orën 14:00, Llapi dhe Drita do të përballen në Podujevë, në takimin hapës të javës së 10-të. Ky duel pritet të jetë vendimtar për të dyja skuadrat, të cilat synojnë objektiva të ndryshëm në këtë fazë të sezonit.
Skuadra e Dritës vjen në këtë përballje nga pozita e pestë në tabelën e renditjes, me 14 pikë të grumbulluara. Gjilanasit synojnë të marrin një rezultat pozitiv në udhëtim, për të vazhduar ngjitjen në tabelë dhe për të mos humbur kontaktin me kreun.
Në anën tjetër, situata është dukshëm më e vështirë për Llapin. Skuadra nga Podujeva pozicionohet në vendin e nëntë, atë të parafundit, me vetëm katër pikë të fituara në nëntë javët e para.
Për Llapin, takimi i sotëm para tifozëve të vet paraqet një mundësi jetike për të arkëtuar pikë dhe për të nisur përmirësimin e renditjes. Megjithatë, përballë do të ketë Dritën, e cila synon të thellojë diferencën në pikë me ndjekësit dhe të largohet nga Podujeva me një rezultat pozitiv. Ky duel, që zhvillohet sot në orën 14:00, shënon edhe startin zyrtar të programit të javës së 10-të.
