Prej kohësh, rrjeti ka zier nga aludimet për një krisje të mundshme të një prej miqësive më të komentuara që lindi brenda mureve të shtëpisë së Big Brother.
Mungesa e dyshes tjetër në eventin e fundit të rëndësishëm të Londrimit i hodhi edhe më shumë benzinë zjarrit, duke i lënë ndjekësit të pyesnin: Çfarë po ndodh me treshen e famshme?
Së fundmi, në një intervistë në emsionin SOL me Adelina Hasanin, Londrim Mekaj ka vendosur të flasë hapur dhe të sqarojë njëherë e mirë të vërtetën e këtij raporti që ka mbajtur pezull kureshtjen e publikut.
Ai pranoi se gjërat nuk janë më si më parë, duke konfirmuar kështu zërat për një ftohje mes tyre, por u tregua i kujdesshëm të ruante privatësinë e miqve të tij.
“Ka qenë një shoqëri shumë e bukur, dikur mendonim se ishte ‘too good to be true’. Jemi kënaqur dhe kemi gjetur shumë veten te njëri-tjetri. Sot gëzojmë raport, por natyrisht jo si përpara,” u shpreh Londrimi fillimisht, duke theksuar se angazhimet dhe jeta e përditshme pas formatit e kanë bërë të tyren.
Megjithatë, i ngacmuar nga Adelina se ku qëndron e vërteta e mungesës së tyre në eventin e tij të madh, Londrimi nuk u fsheh:
“E kemi pasur një ftohje pak për disa çështje, që është më shumë personale… Me njerëzit e afërt ndoshta mbetet hatri edhe për gjërat më të kota.”
Ai tregoi se preferon t’i mbajë gjërat private dhe të mos e “shesë” shoqërinë për vëmendje mediatike. Duke thumbuar paksa edhe mediat e showbiz-it, ai theksoi se shpesh portalet e marrin një detaj dhe i japin një kahje krejt të kundërt, ndonëse në këtë rast pranoi se “rrethanat e bëjnë të duket fiks ashtu siç po përflitet”.
Pavarësisht kësaj “krisjeje”, ish-banori duket se i ka lënë dyert e hapura për një pajtim.
“Unë i respektoj shumë, i dua dhe kam për të vazhduar të kem respekt për ta. Jemi të rritur e të pjekur, besoj që komunikimi është çelësi i gjithçkaje. Kemi me i zgjidh krejt… mirë jemi!” – përfundoi ai duke qeshur.
A do ta shohim treshen sërish bashkë ashtu siç i kemi njohur, apo kjo ftohje kërkon më shumë kohë për t’u shkrirë?
Mbetet për t’u parë nëse “gjykata” mes tyre, siç e quajti me humor Londrimi, do të japë një vendim në favor të miqësisë së vjetër!
