Arbresha Loxha, hulumtuese në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka theksuar se niveli i mirëqenies në Kosovë është dukshëm më i ulët krahasuar me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke arritur vetëm 20 deri në 30% të standardit të tyre.

Në Ditën e Evropës, gjatë një podcasti për Radion Evropa e Lirë, Loxha vuri në dukje se Kosova ka rreth dy herë më pak mirëqenie edhe se Bullgaria, vendi aktualisht më i varfër brenda BE-së.

Ajo shpjegoi se progresi i Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian nuk mund të vlerësohet në mënyrë të përgjithshme, pasi ndryshon thelbësisht nga një fushë në tjetrën.

Loxha theksoi se, pavarësisht perceptimeve për kosto të ngjashme jetese, ekziston një hendek i madh në të ardhura dhe cilësinë e shërbimeve. “Pagat dhe standardi i jetës në Kosovë janë shumë më të ulëta krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian,” citoi ajo.