**Lushaku: Kosova, e detyruar të garantojë gjykim të drejtë në Hagë**
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka theksuar se institucionet e Kosovës kanë detyrimin të bëjnë gjithçka që është e mundur për të garantuar një proces gjyqësor të drejtë në Hagë, në rastet kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Këto komente Lushaku i bëri gjatë një emisioni në Klan Kosova, ku foli për takimin e grupit punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me proceset në Gjykatën Speciale.
“Qëllimi i këtij grupi është që shteti i Kosovës të hartojë një strategji shtetërore përballë procesit në Hagë, me objektivin që të sigurohet një proces i drejtë (fer), duke mbrojtur të drejtat e njeriut, procedurat dhe funksionimin e vetë gjykatës,” u shpreh Lushaku.
Ajo theksoi se institucionet e vendit kanë për detyrë të ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme për një gjykim transparent dhe objektiv.
“Si shtet, kemi detyrimin të bëjmë gjithçka për të siguruar që atje të ketë një gjykim fer, një proces transparent dhe të drejtë, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme,” përfundoi deputetja.
