**Maliqi: Po të vepronin Thaçi e Mustafa si Kurti, kjo do të quhej ‘grusht shteti’**

Analisti Agon Maliqi ka komentuar procesin e zgjedhjes së presidentit në Kuvendin e Kosovës, i cili u zhvillua pa praninë e 80 deputetëve në sallë, siç parashikon rregullorja dhe Kushtetuta.

Maliqi shtroi pyetjen se si do ta kishte cilësuar Albin Kurti një veprim të ngjashëm, po të kryhej dhjetë vite më parë nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Sipas tij, Kurti do ta cilësonte këtë veprim pikërisht si “grusht shteti”.

“Duke u kthyer rreth dhjetë vjet pas, e imagjinoj skenarin ku Thaçi dhe Mustafa – të cilët asokohe bashkë kishin 55% të votave – brenda javës, me urgjencë, mbushin bordet e institucioneve kyçe me besnikë politikë, organizojnë seancë jashtë kornizave të Kushtetutës për të zgjedhur president, dhe prodhojnë një situatë ku Kosova nuk ka më institucione politike legjitime dhe të njohura ndërkombëtarisht. Si mendoni se do ta quante këtë skenar Kurti i para dhjetë viteve, dhe pse pikërisht ‘grusht shteti’?”, ka deklaruar Maliqi.