Petrit Kryeziu, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, ka deklaruar se hetimet për manipulimet me rezultatet zgjedhore, veçanërisht ato të evidentuara pas 28 dhjetorit, janë në vazhdim e sipër dhe se së shpejti do të ngriten aktakuza. Kryeziu theksoi se Prizreni ka qenë një nga rastet më të mëdha të keqpërdorimeve të votave në vend.
Ai bëri të ditur se në Prizren ishin manipuluar mbi 68 mijë vota. Lidhur me këtë, Prokuroria kishte ndërmarrë veprime të shpejta hetimore, duke siguruar prova materiale e personale dhe duke arrestuar 109 persona brenda një dite. Për një pjesë të konsiderueshme të tyre ishte kërkuar masa e paraburgimit, kërkesë e cila ishte miratuar nga gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë. Megjithatë, Gjykata Supreme më pas i kishte liruar të dyshuarit, një vendim që, sipas Kryeziut, prokuroria e respekton.
Kryeprokurori theksoi se periudha gjatë të cilës të dyshuarit ishin në paraburgim ishte “pjesa më e artë e hetimeve”, pasi gjatë saj u siguruan shumë prova dhe u fituan dëshmitarë bashkëpunues. Ai zbuloi se hetimet kishin çuar në zbulimin edhe të veprave tjera penale, si keqpërdorim i detyrës zyrtare, dhënie e marrje ryshfeti, si dhe kanosje. Kryeziu shprehu bindjen se do të zbuloheshin shumë më tepër detaje, por ndërprerja e masave të paraburgimit krijon perceptimin te qytetarët se të dyshuarit janë liruar përfundimisht.
Lidhur me të dyshuarit, Kryeziu konfirmoi se hetimet janë ende në zhvillim dhe se, sapo të vërtetohet dyshimi i bazuar, ata do të përballen me aktakuza. Ai shtoi se për personat që kanë mbajtur pozita zyrtare, krahas aktakuzës, do të propozohet edhe dënimi plotësues i mos-ushtrimit të funksioneve në administratën publike dhe shërbime publike. “Nuk na duhen as arsimtarë e as mësues që sot vjedhin vota, e nesër na i mësojnë fëmijët”, u shpreh Kryeprokurori me theks të veçantë.
Kryeprokurori i Prizrenit shtoi se, përveç Prizrenit, po hetohen raste të ngjashme edhe në Suharekë, Dragash dhe Mamushë.
