Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka vlerësuar lart pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për fitimin e medaljes së artë në garën prestigjioze “Cambrian Patrol 2026”, të zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar. Ai theksoi se kjo arritje është dëshmi e profesionalizmit të FSK-së.

Maqedonci u shpreh se ky sukses, i arritur mes 120 ekipeve pjesëmarrëse, tregon qartë profesionalizmin, disiplinën dhe përgatitjen e lartë të pjesëtarëve të FSK-së.

Më tej, ai bëri me dije se ky triumf u nderua edhe në Ambasadën e Kosovës në Londër. Në një ceremoni ushtarake, të organizuar nën mikpritjen e ambasadorit Ilir Kapiti, pjesëtarët e FSK-së ngritën flamurin e Republikës së Kosovës mbi ndërtesën e ambasadës.

“Ky sukses është dëshmi e qartë e profesionalizmit dhe përkushtimit të pjesëtarëve tanë, si dhe e rrugëtimit të vazhdueshëm të FSK-së drejt zhvillimit dhe modernizimit,” ka shkruar Maqedonci në një postim në Facebook.