**Maqedonci zbulon marrëveshjen ushtarake me Turqinë në Lira Turke, vlera në Euro dukshëm më e ulët**
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur detaje rreth një marrëveshjeje ushtarake-financiare me Turqinë, e cila ka marrë miratimin e Qeverisë së Kosovës. Marrëveshja ka një vlerë prej 3.8 milionë eurosh, e destinuar për forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Megjithatë, njoftimi i Maqedoncit për vlerën e kësaj marrëveshjeje është bërë në valutën turke, duke lënë të kuptohet se shuma e shprehur në lira turke duket më e madhe se ajo në euro.
Në postimin e tij, ministri Maqedonci theksoi se mbështetja nga Qeveria e Turqisë do të jetë në vlerë të 200 milionë lirave turke. Kjo shumë, e cila i korrespondon rreth 3.8 milionë eurove, ishte objekt i diskutimit pasi u prezantua në valutën turke.
Maqedonci ka cituar vendimin duke shkruar: “Miratohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës nisma për lidhjen e Marrëveshjes Financiare Ushtarake, përmes së cilës Qeveria e Republikës së Turqisë do të mbështesë Qeverinë e Republikës së Kosovës me 200,000,000.00 TL (dyqind milionë lira turke) për forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.”
