Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim komandantin e anijes zbarkuese të Marinës Amerikane, USS Pearl Harbor, Alban Dervishi, një shtetas amerikan me origjinë shqiptare.
Përmes një postimi në Facebook, ministri Maqedonci theksoi se përkushtimi, profesionalizmi dhe suksesi i Dervishit janë dëshmi e fuqishme e rritjes së rolit të shqiptaro-amerikanëve në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit, ministri Maqedonci shprehu kënaqësinë për mirëpritjen e komandantit Dervishi, një oficer amerikan me origjinë shqiptare që shërben në Forcat Detare të SHBA-së. Ai ritheksoi se suksesi i Dervishit përfaqëson me dinjitet vlerat e shërbimit, përgjegjësisë dhe udhëheqjes.
Nga ana e tij, komandant Dervishi u shpreh i nderuar për vizitën në Kosovë dhe vlerësoi lart arritjet e vendit, veçanërisht në zhvillimin dhe avancimin e sistemit të mbrojtjes.
Maqedonci e falënderoi Dervishin për vizitën dhe ritheksoi mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e palëkundur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Republikës së Kosovës. Ai përfundoi duke theksuar se SHBA mbetet aleati strategjik dhe i pazëvendësueshëm i Kosovës.
