Marta Kos, Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, shprehu të martën në Bruksel “tmerrimin” e saj mbi deklaratën e një ministreje në Qeverinë e Serbisë, e cila sugjeroi se Kosova duhej të ishte spastruar etnikisht në vitin 1998.
“Për deklarata të tilla mund të ketë vetëm tolerancë zero. Në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon, promovon ose glorifikon spastrimin etnik. Personalisht jam vërtet e tmerruar që një gjë e tillë duhet të thuhet në këtë situatë,” theksoi Kos në një konferencë për media.
Kos u përgjigj një pyetjeje lidhur me deklaratën e ministres serbe për Administratën Shtetërore dhe Vetëqeverisjen Lokale, Snezhana Paunoviq. Kjo deklaratë erdhi në kohën kur Komisioni Evropian kishte rekomanduar fuqishëm hapjen e negociatave me Serbinë në kuadër të Klasterit 3, një rekomandim që nuk mori mbështetjen e shteteve anëtare të BE-së.
“Këto deklarata bien në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit – për të cilin ekziston një nevojë e madhe – përgjegjësisë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian dhe pa të cilat procesi i anëtarësimit nuk mund të avancojë,” theksoi Kos. “Ato janë gjithashtu në kundërshtim me detyrimet e Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.”
Ajo shtoi se “mund të supozojë vetëm se këto janë qëndrime personale të një ministreje dhe jo qëndrimi i Qeverisë së Serbisë”.
“Presim që udhëheqësit politikë të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në ndërtimin e besimit, pajtimit dhe stabilitetit rajonal,” u shpreh Kos në konferencën për media, e cila u mbajt pas konferencës së anëtarësimit me Malin e Zi.
Ministrja Paunoviq, gjatë një interviste për “TV Kurir” të transmetuar të shtunën, kishte deklaruar se “po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”.
