Gazetari Muhamet Mavraj, njëri prej organizatorëve të lëvizjes studentore që kishte organizuar demostratat ikonike të 1 tetorit të vitit 1997, doli sot para qytetarëve të mbledhur në sheshet e Prishtinës në protestën kundër aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mavraj tha se “pa arsimin shqiptar dhe pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kurrë s’do të bëheshim shtet”.

“Më 1 nëntor 1997, i tërë kombi, të gjitha rrymat, të majtë e të djathtë, dashamirë e jo dashamirë, mësues, arsimtarë, profesorë e dekanë, mbarë popullin e bëmë bashkë sepse dolëm mbi dallimet tona. Dhe ishin shumë, e jo pak. Po kështu, sa herë që kombi është në rrezik, do të dalim përmbi fe e përmbi parti, sepse më të parën parti e kemi Shqiptarinë dhe më të parën fe e kemi Shqiptarinë”, tha ai.

Mavraj tha se një milion shqiptarë ishin “në këmbë atë ditë”.

Qytetarë të shumtë po protestojnë çdo natë në Prishtinë, që prej 16 shtatorit, kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Jashtë gjykatës në Hagë dhe në sheshin kryesor të Prishtinës, ku ishin mbledhur qindra njerëz për ta pritur vendimin atë ditë, ata mbetën heronj luftës së përgjkshme për pavarësinë e vendit.

Shfuqizimi ose ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale, është njëra nga kërkesat e protestave të vazhdueshme.