**I dhunuar nga policia greke, 29-vjeçari nga Maliqi denoncon rastin dhe shtrohet në spital në Korçë**

Një 29-vjeçar nga Maliqi, Maldin Maxhari, është paraqitur mbrëmjen e djeshme në urgjencën e spitalit të Korçës me dëmtime të shumta në trup, duke denoncuar se është dhunuar nga policia greke rreth dy javë më parë në Halkidiki.

Sipas deklarimeve të Maxharit, ai ka qenë viktimë e dhunës nga punonjës të policisë greke, të cilët e kishin ngatërruar me autorin e një vepre penale. Megjithatë, pas verifikimeve të kryera nga autoritetet helene, 29-vjeçari ka rezultuar i pafajshëm.

Burime mediatike, mes tyre TCH, raportojnë se Maldin Maxhari ka bërë kallëzim penal pranë policisë greke, ndërkohë që është dëbuar nga territori grek. Ai është kthyer në Shqipëri përmes pikës kufitare të Kakavijës, duke u nisur drejt qytetit të tij, Maliqit.

Në spitalin e Korçës, ku po merr ndihmën mjekësore, mjekët dyshojnë se Maxhari ka pësuar dëmtime në brinjë dhe në shpretkë, duke e bërë të nevojshme trajtimin e specializuar.

Policia e Qarkut Korçë ka marrë deklarimet e 29-vjeçarit dhe po pret udhëzime për hapat e mëtejshëm ligjorë, duke qenë se ngjarja e dhunës ka ndodhur në një shtet tjetër.