Tashmë ish-kapiteni i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani njoftoi largimin nga kombëtarja dardane mbrëmë, përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”.

Rrahmani shkroi se po pensionohet nga kombëtarja e Kosovës, derisa në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës të jenë personat aktualë.

Mediumi i njohur ndërkombëtar, “Goal.com” ka shkruar një artikull të veçantë për yllin e Napolit, me titullin “Ylli i Napolit GODET ashpër Federatën në njoftimin shokues të pensionimit të tij nga kombëtarja”.

“Goal” e vlerëson si një goditje për kombëtaren e Kosovës, largimin e një mbrojtësi me përvojë si Rrahmani.

Për largimin e Rrahmanit nga Kosova ka shkruar edhe “Football Italia”.

Mediumi ka shkruar po ashtu një artikull për Rrahmanin, me titullin “Rrahmani i Napolit pensionohet nga kombëtarja e Kosovës pas ‘sulmeve të koordinuara’”.

Rrahmani ishte pjesë e kombëtares së Kosovës që nga viti 2016, kur kaloi nga kombëtarja e Shqipërisë.

Në shtatë vitet e fundit, Rrahmani ishte kapiten i kombëtares së Kosovës, pas pensionimit të Samir Ujkanit.

Me kombëtaren dardane, Rrahmani pati 66 paraqitje, ku shënoi edhe shtatë gola./GazetaExpress/