AIP bën thirrje për raportimin e mashtrimeve me SMS dhe mesazheve të padëshiruara

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i raportojnë rastet e mesazheve të padëshiruara dhe mashtrimeve me SMS, duke theksuar se këto praktika përbëjnë një shkelje serioze të privatësisë.

Drejtoresha e AIP-së, Krenare Sogojeva-Dërmaku, në një deklaratë për Ekonomia Online, theksoi se institucioni që ajo drejton ka trajtuar një numër të madh ankesash lidhur me shitjen e numrave të telefonit dhe dërgimin e SMS-ve pa pëlqimin e qytetarëve, një fenomen ky tejet shqetësues në Kosovë.

Ajo paralajmëroi se me shtimin e rasteve të mesazheve mashtruese që përdorin emrat e institucioneve dhe kompanive publike, është thelbësore që qytetarët t’i raportojnë rastet pranë Agjencisë për Informim dhe Privatësi, si dhe Policisë së Kosovës.

“Fatkeqësisht, në Kosovë, prej vitesh janë mbledhur numra telefoni dhe kemi informacione se ata janë shitur. Çdo shqetësim i shkaktuar përmes SMS-ve është shkelje e privatësisë, gjë që e kemi theksuar vazhdimisht prej pesë vitesh. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që marrin mesazhe të padëshiruara, për të cilat nuk kanë dhënë pëlqim paraprak, t’i njoftojnë Agjencisë për Informim dhe Privatësi”, tha ajo.

Sogojeva-Dërmaku theksoi se AIP ka trajtuar pjesën më të madhe të ankesave pikërisht për raste të tilla, por shtoi se ky fenomen vazhdon të mbetet shqetësues për shkak të mungesës së informimit të drejtë të qytetarëve dhe mosndërgjegjësimit të subjekteve përgjegjëse, institucioneve apo edhe personave fizikë që mbajnë dhe shesin këta numra për përfitime personale.

“Përgjegjësia u bie kontrolluesve, atyre që dërgojnë SMS-et. Në raste të tilla ne kemi gjobitur edhe kompani private që kanë kryer shkelje, pasi e drejta për të dërguar apo marrë një SMS ekziston vetëm nëse qytetari ka dhënë paraprakisht pëlqimin me shkrim”, shpjegoi drejtoresha e AIP-së.

Ajo foli gjithashtu për rritjen e rasteve të mesazheve mashtruese, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos japin të dhënat personale apo bankare dhe t’i raportojnë rastet pranë institucioneve kompetente.

“Tani ky është një fenomen tjetër; mesazhet mashtruese janë duke u bërë një dukuri e përditshme në kohën e internetit dhe dixhitalizimit. Gjithashtu, edhe vetë institucionet, emri apo logoja e të cilave keqpërdoret, duhet të veprojnë. Ne disa herë kemi bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos i japin të dhënat e tyre në këto SMS, të cilat edhe në dukje duken false, por t’i raportojnë ato pranë Agjencisë, si dhe Policisë së Kosovës. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Policinë e Kosovës dhe kemi trajtuar raste të tilla së bashku”, shtoi ajo.

Së fundmi, Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët për një SMS të ri mashtrues që po qarkullon, i cili paraqitet rremë në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës. Sipas policisë, mesazhi pretendon se qytetarët kanë gjoba të papaguara trafiku dhe kërkon klikimin në lidhje të dyshimta. Autoritetet kanë theksuar se bëhet fjalë për një tentativë mashtrimi dhe jo për një komunikim zyrtar.

Ditëve të fundit edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka paralajmëruar qytetarët që të injorojnë mesazhet e dërguara nga numri +639605610623, pasi dyshohet se bëhet fjalë për mashtrim. Kompania u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shpërndajnë të dhëna personale, informacione bankare apo të tjera të ndjeshme përmes mesazheve të tilla.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësitin e Krimeve Kibernetike, njoftoi më 8 qershor se kishte realizuar një aksion policor në disa lokacione, ku u arrestuan dy persona të dyshuar për mashtrim, ndërsa dy të tjerë janë identifikuar dhe ndodhen në arrati.

Gjatë operacionit u sekuestruan një automjet, telefona celularë, karta SIM dhe dokumente bankare. Sipas autoriteteve, të dyshuarit kishin organizuar një skemë mashtrimi përmes SMS-ve, duke u paraqitur si banka komerciale dhe duke i drejtuar qytetarët në faqe interneti të rreme për t’u vjedhur të dhënat bankare.

Komunikata zyrtare thekson se viktimat kishin marrë mesazhe që paralajmëronin për “aktivitet të dyshimtë në llogari”, duke kërkuar verifikim përmes lidhjeve mashtruese. Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.