Miliona flutura nate të llojit bogong kanë mbushur Sydney-n, bregdetin jugor të New South Wales dhe zona të tjera të Australisë, pasi erërat e forta i kanë devijuar nga rruga e tyre e zakonshme e migrimit.
Gjatë fundjavës, rrjetet sociale u mbushën me fotografi dhe video që tregonin shtëpi, biznese dhe rrugë të mbuluara nga këto insekte.
Fluturat bogong, të cilat konsiderohen specie e rrezikuar, migrojnë çdo pranverë nga rajonet e ulëta të Queensland-it, pjesët qendrore të New South Wales dhe Victoria perëndimore drejt shpellave në Alpet jugore.


Sipas disa vlerësimeve, në këtë migrim mund të marrin pjesë deri në dy miliardë flutura.
Ato udhëtojnë kryesisht gjatë natës dhe përdorin dritën e Hënës për orientim, çka i bën shumë të ndjeshme ndaj ndriçimit artificial.
Megjithatë, erërat e forta gjatë fundjavës devijuan miliona prej tyre dhe i shtynë drejt Sydney-t dhe Melbourne-it.
Policia e Hawkesbury-t u bëri thirrje banorëve të qëndronin të qetë përballë numrit të madh të insekteve.
“Përpara se dikush të raportojë një valë krimesh të lidhura me fluturat, ju sigurojmë se këta udhëtarë të vegjël janë pjesë natyrore e ciklit të migrimit në Australi”, thuhej me humor në njoftimin e policisë.
Sipas autoriteteve, fluturat nuk paraqesin rrezik për njerëzit apo kafshët shtëpiake dhe nuk kanë ndërmend të qëndrojnë përgjithmonë nëpër banesa.
“Nëse veranda juaj aktualisht duket si një klub nate për fluturat, mos u shqetësoni. Jepuni pak kohë dhe vizitorët tanë me krahë do të vazhdojnë rrugën”, shtoi policia.
Migrimi i fluturave bogong monitorohet edhe nga Zoos Victoria, pasi ai ka rëndësi të madhe për ekosistemin.


Migrimi pranveror është veçanërisht i rëndësishëm për mbijetesën e mountain pygmy-possum, një marsupial malor i rrezikuar në mënyrë kritike, i cili ushqehet me këto flutura pasi zgjohet nga letargjia dimërore.
Ekologia Natalie Sanderson u ka bërë thirrje banorëve që të mos i vrasin insektet.
Ajo këshillon që nëse fluturat hyjnë brenda shtëpisë, të fiken dritat e brendshme dhe të hapen dyert e dritaret, në mënyrë që ato të gjejnë vetë daljen.
“Nëse ka një dritë jashtë, ato do të tërhiqen drejt saj”, shpjegoi ajo.
Sipas Sanderson, bogong moths janë shumë të rëndësishme për ekosistemin dhe për mbijetesën e shumë bimëve dhe specieve të tjera.
“Ato me të vërtetë duhet të mbrohen”, tha ajo.
Fluturat bogong janë relativisht të vogla, zakonisht mes 2.5 dhe 3.5 centimetra të gjata, dhe dallohen nga vijat e errëta që shtrihen përgjatë krahëve.
Personat që shohin një flutur bogong inkurajohen të bëjnë fotografi dhe t’i ngarkojnë ato në Bogong Moth Tracker të Zoos Victoria, një platformë që ndihmon ekspertët të ndjekin lëvizjet e tyre gjatë migrimit. /GazetaExpress/
