Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, ka dënuar ashpër nderimet e bëra në funeralin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpska, Ratko Mladiq.

Prévot theksoi se Mladiq është një kriminel lufte i dënuar, i shpallur fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

“I njohur si “Kasapi i Bosnjës”, Mladiq ishte përgjegjës për disa nga mizoritë më të rënda të historisë evropiane, veçanërisht për gjenocidin e Srebrenicës,” shkroi Prévot.

Ai e cilësoi si të turpshme dhe mungesë respekti ndaj viktimave dhe familjeve të tyre faktin që Mladiqit iu bënë nderime të tilla në funeral.

Ministri belg deklaroi se e dënonte këtë akt me termat më të ashpër dhe se i kishte përcjellë këtë mesazh homologut të tij serb përgjegjës për çështjet evropiane.

Prévot paralajmëroi gjithashtu se veprime të tilla e largojnë Serbinë nga vlerat themelore të Bashkimit Evropian.

“Ky është një hap që e distancon Serbinë nga vlerat thelbësore të BE-së – respekti për dinjitetin njerëzor, të drejtat e njeriut dhe lufta kundër pandëshkueshmërisë – duke shkuar në drejtim të kundërt me atë që pritet nga një vend kandidat për në BE,” theksoi ai.