**Akuzohet ekzekutivi: Ndahen 2 milionë euro më pak për komunat, Ibrahimi: Janë tejkaluar kompetencat**
Sazan Ibrahimi, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ka akuzuar ekzekutivin për tejkalim të kompetencave në ndarjen e grantit të performancës komunale. Sipas tij, komunave përfituese u janë ndarë 2 milionë euro më pak sesa parashikohet me ligj.
Ibrahimi, në një deklaratë dhënë në emisionin “Gazeta”, theksoi se Ligji për ndarjet buxhetore, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, parashikon një buxhet prej 4 milionë eurosh për programin e granteve të performancës komunale, posaçërisht në tabelën 3.2 për projektet kapitale në nivel qendror. Megjithatë, ai vuri në dukje se grantet janë ndarë vetëm për pesë komuna – Rahovecin, Dragashin, Klinën, Mamushën dhe Parteshin – dhe vlera e shpërndarë arrin në vetëm 2 milionë euro.
“Është një absurd se si ekzekutivi mendon dhe konsideron se mund t’i tejkalojë kompetencat e veta, sepse ligji i miratuar në Kuvend e cakton këtë vlerë në 4 milionë euro, ndërsa Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ua ndan komunave përfituese vetëm 2 milionë euro,” deklaroi Ibrahimi.
Ai theksoi gjithashtu se, përveç Ligjit për ndarjet buxhetore, Ministria ka edhe një rregullore të veçantë që detajon mënyrën e ndarjes së grantit të performancës. Sipas Ibrahimit, kjo rregullore duhet të respektohet me përpikëri gjatë zbatimit të programit në fjalë.
