Qeveria Miraton Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot, gjatë mbledhjes së saj, projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Lajmin e bëri të ditur Ekonomia Online.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, e ka cilësuar këtë projektligj si një prej nismave më thelbësore për të ardhmen e shëndetësisë në vend.

Vitia theksoi se ky projektligj, i cili synon sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, ka një rëndësi të veçantë. Ai shtoi se hartimi i tij vjen pas një periudhe të gjatë diskutimesh dhe analizash të thelluara mbi sfidat e sistemit shëndetësor në Kosovë, si dhe pas studimit të praktikave më të mira ndërkombëtare. Qëllimi është krijimi i një ligji që u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe që është i zbatueshëm në realitetin ekonomik e social të vendit.

“Pas më shumë se dhjetë vitesh, ky projektligj shënon një hap thelbësor drejt krijimit të një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të sigurimeve shëndetësore. Me anë të tij, themelohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor i Republikës së Kosovës,” citohet të ketë thënë ministri Vitia.

Ai shtoi se ky ligj do të rregullojë funksionimin dhe financimin e këtij fondi, duke siguruar:
* Përfshirjen e të gjithë popullatës, me qasje universale në shërbimet shëndetësore dhe ngritjen e cilësisë së tyre.
* Krijimin e bazës për zhvillimin e mekanizmave të financimit në sistemin shëndetësor.
* Mbulimin universal shëndetësor dhe zvogëlimin e varfërisë e pabarazisë të shkaktuar nga kostot e kujdesit shëndetësor, duke garantuar qasje për të gjithë banorët.