Anija ruse “Ursa Major”, e dyshuar për transportimin e komponentëve të reaktorëve bërthamorë drejt Koresë së Veriut, është fundosur në rrethana misterioze në Detin Mesdhe, pranë brigjeve të Spanjës. Autoritetet hetojnë mundësinë e një operacioni të fshehtë ushtarak dhe transferimit të teknologjisë bërthamore të ndjeshme.

Sipas një hetimi të publikuar nga CNN, anija u fundos më 23 dhjetor 2024, rreth 100 kilometra larg brigjeve të Kartagjenës në Spanjë. Kjo ndodhi pas disa shpërthimeve të fuqishme që goditën anën e saj. Dy anëtarë të ekuipazhit humbën jetën, ndërsa 14 të tjerë u shpëtuan nga autoritetet spanjolle.

“Ursa Major”, e njohur edhe si “Sparta 3”, ishte përdorur më parë nga Rusia në operacione ushtarake në Siri. Ndërsa dokumentet zyrtare deklaronin transportin e dy vinçave të mëdhenj dhe “materialeve industriale”, hetuesit spanjollë dyshojnë se në fakt, në bord ishin komponentë të dy reaktorëve bërthamorë, të ngjashëm me ata të nëndetëseve ruse.

Kapiteni rus Igor Anisimov dëshmoi para autoriteteve spanjolle se ngarkesa mund të ishte destinuar për portin Rason në Korenë e Veriut. Ky fakt ngre pikëpyetje thelbësore mbi arsyen pse një ngarkesë e tillë do të transportohej me anije përmes Mesdheut, në vend që të përdorej rrjeti hekurudhor rus drejt Vladivostokut.

Hetimi zbulon gjithashtu se “Ursa Major” shoqërohej nga anije luftarake ruse gjatë udhëtimit të saj. Pas shpërthimeve fillestare, njëra prej anijeve shoqëruese, “Ivan Gren”, urdhëroi mjetet e tjera detare të largoheshin nga zona. Pak kohë më vonë, u regjistruan katër shpërthime të tjera nënujore, ndërsa “Ursa Major” u fundos gjatë natës.

Sipas burimeve të afërta me hetimin spanjoll, një vrimë rreth 50 centimetra në trupin e anijes mund të jetë shkaktuar nga një armë tejet e avancuar, e përdorur vetëm nga disa shtete si SHBA, Rusia dhe aleatë të NATO-s. Ekspertë të tjerë të sigurisë dyshojnë se dëmtimi mund të jetë shkaktuar edhe nga mina magnetike të vendosura në trupin e anijes.

Interesi ndërkombëtar për incidentin është thelluar, sidomos pas fluturimeve të dyfishta të avionëve amerikanë, të specializuar për zbulimin e radioaktivitetit, mbi zonën ku ndodhet anija e fundosur.

Rusia e ka quajtur incidentin një “sulm terrorist”, ndërsa autoritetet spanjolle deri më tani kanë publikuar pak detaje zyrtare. Misteri mbi ngarkesën dhe shkakun e fundosjes vazhdon të mbetet pa u zbardhur në thellësitë e Mesdheut.