**Mjet Shpërthyes dhe Letër Kërcënuese në Derën e një Banesë në Pejë**
Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur mbrëmjen e 25 qershorit në Pejë, ku persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë vendosur një mjet shpërthyes dhe një letër me përmbajtje kërcënuese në derën e një banese.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti u raportua rreth orës 23:43. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forcat policore mbërritën në vendin e ngjarjes, duke siguruar perimetrin për të parandaluar çdo rrezik për banorët dhe kalimtarët.
Më pas, në vendin e ngjarjes ndërhyri edhe Njësia për Deminim e Policisë së Kosovës, e cila largoi mjetin shpërthyes në mënyrë të sigurt dhe profesionale.
Policia ka konfirmuar incidentin në raportin e saj ditor, duke theksuar se “rasti është duke u hetuar” dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për largimin e mjetit shpërthyes dhe sigurimin e zonës. Ende nuk dihen motivet e këtij akti dhe as identiteti i personave të dyshuar.
