**Modelja 25-vjeçare Oriana Usatariz gjendet e pajetë pas tërmetit shkatërrues në Venezuelë**

Modelja 25-vjeçare, Oriana Usatariz, është gjetur e pajetë nën rrënojat e një ndërtese në Karakas, pas tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën.

Trupi i saj u zbulua gjatë operacioneve të kërkimit në ndërtesën “Moises” në distriktin San Bernardino të kryeqytetit, ku ajo ishte personi i fundit i zhdukur pas shembjes së saj. Raportohet se në momentet tragjike të fundit, ajo u gjet duke mbajtur në krah kafshën e saj shtëpiake.

Nëna e Orianës kishte folur për herë të fundit me të kur kjo e fundit kishte dalë për një shëtitje me qenin. Tragjedia thellohet nga fakti se vetëm pak ditë më parë, Oriana kishte diplomuar në fizioterapi dhe kishte shpërndarë foto nga ceremonia në rrjetet sociale.

Tërmeti i fuqishëm që goditi Venezuelën, me magnitudë të lartë dhe pasgoditje të shumta, ka lënë pas mijëra viktima dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën e vendit. Qindra ndërtesa janë shembur, ndërsa mijëra persona të tjerë vijojnë të konsiderohen të zhdukur.

Ekipet e shpëtimit vazhdojnë pa ndërprerje kërkimet mes rrënojave, ku janë raportuar edhe raste mbijetese, si ai i një fëmije trevjeçar dhe një rojeje sigurie, të cilët u shpëtuan pas disa ditësh. Situata në vend mbetet kritike, teksa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë me intensitet të lartë, në përpjekje për të gjetur të mbijetuar të tjerë.