Italia po përballet me një situatë komplekse atmosferike, ku stuhitë e forta dhe reshjet intensive kanë goditur veriun e vendit, ndërkohë që jugu vazhdon të luftojë me valën e të nxehtit, megjithëse me shenja zbutjeje.

Autoritetet e Mbrojtjes Civile kanë shpallur alarm të kuq për rajonin e Venecias dhe kanë kërkuar vigjilencë të shtuar në Emilia-Romagna për shkak të rrezikut nga përmbytjet. Alarmi portokalli është në fuqi për Emilia-Romagna, ndërsa Italia Qendrore dhe Jugore, përfshirë ishujt, janë në alarm të verdhë.

Vala e të nxehtit, ndërkohë, po shfaq shenja tërheqjeje. Vetëm Katania dhe Reggio Calabria mbeten në nivelin më të lartë të rrezikut me alarm të kuq për temperatura ekstreme, ndërsa Mesina është klasifikuar me alarm portokalli. Qytetet e tjera janë në nivelin e verdhë.

Për ditën e premte në vijim, parashikohet një përmirësim i mëtejshëm i situatës, ku vetëm 9 qytete pritet të mbeten në nivel alarmi për vapën, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të kalojë në nivelin e gjelbër, duke shënuar një lehtësim të ndjeshëm të temperaturave.

Një front i fuqishëm i motit të keq përfshiu mbrëmjen e djeshme rajonet veriore të Italisë, duke sjellë stuhi të fuqishme, breshër, erëra të forta dhe përmbytje. Kjo situatë ka shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme, ndërprerje të qarkullimit dhe ka kërkuar dhjetëra ndërhyrje nga ekipet e emergjencës.

Në Milano, erërat e forta rrëzuan pemë dhe degë, duke bllokuar linjat e tramvajit dhe përmbytur bodrume. Zjarrfikësit morën rreth 240 thirrje për ndërhyrje, ndërsa parqet e qytetit u mbyllën si masë parandaluese. Edhe Torino u godit nga një stuhi e fuqishme me breshër, e cila shkaktoi rrëzimin e pemëve dhe dëme në disa zona. Temperaturat ranë me mbi 10 gradë brenda pak orësh.

Në Venecia, reshjet intensive dhe dukshmëria e ulët detyruan autoritetet të pezullonin përkohësisht fluturimet në Aeroportin Marco Polo. Stuhitë shkaktuan gjithashtu ndërprerje të shkurtra të energjisë elektrike në terminal.

Moti i keq preku gjithashtu Emilia-Romagna, ku u raportuan përmbytje, rrëzim pemësh dhe dëmtime të çative në disa qytete. Në Gjenova, erërat e forta rrëzuan një skelë ndërtimi, fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar.

Në provincën e Perugias, zjarrfikësit ndërhynë në dhjetëra raste për pemë të rrëzuara dhe objekte të dëmtuara nga era, pa raportime për viktima apo persona të plagosur. Ndërkohë, në zonën malore të Valle Brembana, një rrëshqitje dherash bllokoi rrugën provinciale drejt Branzit. Në Altopiano di Asiago, një vorbull ere shkuli çatinë e një hambari, duke hedhur pllaka metalike në rrugë.

Rajonet e Trentino-Alto Adige dhe Bolzano u përfshinë gjithashtu nga stuhi të forta, me përmbytje, pemë të rrëzuara dhe madje reshje të lehta dëbore në kalimin malor të Stelvios, si pasojë e rënies së ndjeshme të temperaturave.