José Mourinho shkaktoi të qeshura në konferencën për shtyp pas fitores 4-0 të Real Madridit ndaj Malagas, teksa foli për situatën e talentit nga Bregu i Fildishtë, Yan Diomande, dhe më pas e bëri një batutë për çmimin e transferimit të tij.
I pyetur se përse Diomande vazhdon të qëndrojë në stol, Mourinho u përgjigj:
“Duhet t’i marrë gjërat hap pas hapi. Ai ka luajtur 20, 15 ose 30 minuta në tri ndeshjet e para. Është një djalë punëtor dhe modest, dëshiron të mësojë dhe të zhvillohet, ndërsa i dëgjon këshillat e mia dhe të shokëve të skuadrës. Ai sigurisht që do të përmirësohet.”
Më pas, trajneri portugez e çoi bisedën te shuma e transferimit të Diomandes. “Njëqind e diçka? 120 apo 130, nuk e di sa paguam?” – pyeti Mourinho, duke ia përsëritur dy herë pyetjen zyrtarit të shtypit pranë tij, ndërsa salla shpërtheu në të qeshura, përcjell “Gazeta Express”.
😂 Mourinho pregunta cuando pagó el Real Madrid por Yan Diomandé. pic.twitter.com/s1t0ODbnO5
— Jaime Herrero (@JaimeHerrero19) August 30, 2026
Mourinho u largua nga salla, por më pas u rikthye për t’u ngacmuar sërish me gazetarët: “Pra, sa paguam në fund? Cila ishte shuma?”
Një gazetar iu përgjigj duke qeshur: “130, me siguri.”
Pavarësisht humorit, Mourinho deshi ta bëjë të qartë se fakti që Diomande po qëndron në stol nuk do të thotë se ai e ka humbur besimin tek mbrojtësi nga Bregu i Fildishtë.
“Special One” theksoi se 20-vjeçari është ende në fazën e përshtatjes. Mourinho e vlerësoi veçanërisht mentalitetin e lojtarit, duke e cilësuar atë si “punëtor dhe modest”.
Sipas trajnerit portugez, Diomande dëshiron të mësojë, të zhvillohet dhe t’i dëgjojë udhëzimet e stafit teknik dhe shokëve të skuadrës.
Kjo qasje e lojtarit e bën Mourinhon të bindur se ai do të përmirësohet gjithnjë e më shumë teksa do të marrë më shumë minuta në fushë. /Gazeta Express
