**Drenoc: Banorët rregullojnë vetë hapësirën publike, pas inercisë së Komunës**

Banorët e fshatit Drenoc, në Komunën e Prishtinës, kanë njoftuar se kanë rregulluar vetë një hapësirë publike, e cila më parë shërbente si vend grumbullimi mbeturinash. Kjo nismë vullnetare erdhi pas mungesës së ndërhyrjes institucionale nga ana e Komunës.

Aktiviteti ka përfshirë rrafshimin e terrenit dhe vendosjen e rrethojës mbrojtëse në zonën e përmirësuar. Organizatorët dhe bashkëfshatarët, të cilët kontribuuan në këtë punë, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos hedhin më mbeturina në atë pjesë.

“Siç jeni të informuar dhe e keni parë, hapësira ku më parë kishte mbeturina është rrafshuar dhe është vendosur rrethoja mbrojtëse. Ju lusim që të mos hidhni mbeturina në atë pjesë”, thuhet në deklaratën e tyre.

Sipas banorëve, kjo hapësirë është pronë publike dhe pjesë e Komunës së Prishtinës. Ata theksojnë se ndërhyrja u realizua pas muajsh pritjeje për veprime nga institucionet përgjegjëse.

“Ne, si organizatorë, kemi pritur me muaj të tërë që Komuna të ndërhyjë dhe ta rregullojë këtë hapësirë, por fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ndodhi. Për këtë arsye, punimet u realizuan me kontribut dhe organizim vullnetar”, kanë deklaruar banorët.

Për rregullimin e kësaj hapësire janë shpenzuar gjithsej 1,580 euro. Kostot përfshijnë 690 euro për rrafshimin e terrenit me bager për tri ditë pune, 660 euro për vendosjen e rrethojës (përfshirë shtyllat, telin dhe punën e dorës), 200 euro për kositjen dhe rregullimin e varrezave, si dhe 30 euro për tharjen e barit që do të përdoret për trajtimin e hapësirave përgjatë trotuarit.

Në fund, banorët kanë falënderuar të gjithë kontribuuesit dhe kanë bërë thirrje për kujdes të përbashkët në mirëmbajtjen e hapësirave publike. “Bashkëpunimi dhe kujdesi i secilit prej nesh janë të domosdoshëm për ta mbajtur fshatin të pastër dhe të rregullt”, përfundon deklarata.