**Murseli ngulmon në versionin e grabitjes, gjyqtarja: Pse paguat armën e blerë nga Graniti?**

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, i ka drejtuar pyetje të shumta Murselit lidhur me rrethanat e ngjarjes së pretenduar. I akuzuari Murseli përsëriti sërish se në natën kritike kishin qenë viktimë e një grabitjeje, duke pretenduar se grabitësit kishin kërkuar vetëm para dhe telefona.

“Ishte grabitje nën kërcënimin e armës. Nuk kërkuan asgjë tjetër përveç portofolit, telefonit dhe parave,” deklaroi Murseli para trupit gjykues. Ai shtoi se kur ishte larguar me fëmijët nga vetura, nuk e dinte nëse grabitësit kishin marrë diçka tjetër.

Gjyqtarja e pyeti Murselin për pozicionimin e fëmijëve në veturë gjatë natës kritike. Murseli u përgjigj se ata nuk kishin qenë ulur afër njëri-tjetrit; njëri pas tij dhe tjetri pas Liridonës. Ai po ashtu deklaroi se fëmijët kishin dalë nga e njëjta derë e automjetit. I pyetur për një ndarëse me lodra mes fëmijëve, të dukshme në foto, dhe mënyrën e largimit të tyre, Murseli tha: “Nuk e di si, unë po tregoj si ka ndodhur, aty ishte edhe një telefon nëse e vini re.”

Pika kryesore e ballafaqimit ishte blerja e armës. Gjyqtarja theksoi se Murseli, në mbrojtjen e tij të paraqitur më herët në gjykatë, kishte deklaruar se bashkë me të akuzuarin Granit Plava, kishin blerë spontanisht një revole dhe se ai vetë kishte paguar çmimin e saj. Murseli e konfirmoi këtë deklaratë.

Kur u pyet për arsyen, Murseli u përgjigj: “Sepse ai tha se nesër e shet dyfish, me atë qëllim e kam blerë.” Në pyetjen për përfitimin e tij nëse arma do të shitej dyfish, Murseli u përgjigj: “Asnjë përfitim, vetëm për t’i ndihmuar.”

Gjyqtarja më tej e pyeti: “Pse ta ndihmoni Granitin?” Murseli shpjegoi: “Sepse ishte bashkëfshatar i yni, shok i Kushtrimit.” Lidhur me gjendjen ekonomike të Granitit, Murseli tha se nuk mund të thoshte se e dinte, por e kishte ndihmuar pasi Graniti “nuk kishte para atë ditë.”

Në fund, gjyqtarja drejtoi pyetjen vendimtare: “A e dini që me atë revole është vrarë bashkëshortja juaj?” Murseli u përgjigj shkurt: “Po, e kuptova.”

Raporton Ekonomia Online.