Pas suksesit në Nashville, muzikalit “Dolly: A True Original Musical”, i bazuar në jetën e Dolly Parton, i është hapur rruga drejt Broadway-t. Shfaqja pritet të debutojë në New York në muajin dhjetor.

Dolly Parton do ta festojë 81-vjetorin e lindjes me hapjen zyrtare të muzikalit për jetën e saj në Broadway, më vonë gjatë këtij viti.

“Dolly: A True Original Musical” përshkruhet si “një udhëtim i jashtëzakonshëm nëpër jetën e kësaj gruaje pioniere” dhe do të nisë shfaqjet paraprake në teatrin “St James” në New York më 7 dhjetor. Premiera zyrtare është planifikuar për 19 janar, pikërisht në ditëlindjen e këngëtares.

Në një video ku njoftoi shfaqjen, Parton premtoi se muzikalit nuk do t’i mungojë sinqeriteti.

“Kjo nuk është vetëm një histori për shkëlqimin dhe pamjen e jashtme”, tha këngëtarja. “Është për vendin nga vij vërtet, për jetën që kam jetuar, për atë që kam humbur, për atë që kam dashur dhe për mënyrën se si e kam gjetur rrugën time. Gjithçka tregohet me fjalët e mia dhe përmes muzikës që ka qenë pjesë e imja në çdo hap të këtij udhëtimi.”

Parton e përshkroi ardhjen e shfaqjes në New York si “një ëndërr të bërë realitet”, duke shtuar se publiku do të dëgjojë disa nga hitet e saj më të dashura, por edhe këngë të reja të krijuara posaçërisht për këtë produksion.

Në një deklaratë për media, ajo shtoi:

“E gjithë jeta ime ka qenë një muzikal. Në të vërtetë, një operë madhështore! Kemi një regjisor të mrekullueshëm, skenografi, kostume, koreografi, muzikë dhe gjithçka që nevojitet për të krijuar një shfaqje të bukur dhe argëtuese. Mezi pres t’ju shoh atje!”

“Dolly: A True Original Musical” pati premierën e parë në Nashville verën e kaluar, me një seri shfaqjesh të shitura plotësisht në “Fisher Center for the Performing Arts”.

Gjatë një karriere gjashtëdekadëshe, Dolly Parton ka lënë gjurmë të pashlyeshme në muzikën country, me më shumë se 100 milionë albume të shitura në mbarë botën. Sipas njoftimit për media, shfaqja do të tregojë se si ajo “ëndërroi, guxoi, u rrëzua dhe u ngrit”, përmes rrëfimit dhe muzikës.

Në muzikal do të përfshihen disa nga këngët e saj më të njohura, si “I Will Always Love You”, “Jolene”, “Coat of Many Colors” dhe “9 to 5”.

Regjisori Bartlett Sher tha se shfaqja do të zbulojë më shumë nga jeta e një artisteje shumë të dashur, por shpesh edhe enigmatike për publikun.

“Gjatë premierës botërore në Nashville, u preka nga lidhja e thellë që publiku ka me Dolly-n. Mjafton të përmendësh emrin e saj dhe njerëzit ndriçojnë, duke treguar momente kur ajo i ka frymëzuar dhe u ka sjellë gëzim”, tha ai.

“Por pavarësisht gjithë kësaj dashurie të sinqertë, Dolly nuk e ka treguar kurrë plotësisht historinë e saj. Ajo ka dhënë vetëm copëza dhe pamje të shkurtëra. Ky muzikal i jep mundësinë ta zbulojë historinë e saj të pafiltruar, me fjalët e veta. Ndërsa përgatitemi të vijmë në Broadway, jemi të lumtur të tregojmë se gurët vezullues nuk kanë qenë kurrë e gjithë historia e saj.” /GazetaExpress/