Pas publikimit të rezultateve alarmante të testit PISA, të cilat treguan një performancë të ulët të nxënësve të Kosovës, ish-ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, deklaroi se ndihet “shumë mirë” me punën e bërë gjatë mandatit të saj dhe qeverisjes Kurti. Ajo theksoi rëndësinë e një konsensusi mbarëshoqëror për avancimin e arsimit dhe përmendi investimet e reformat e realizuara në edukimin e hershëm, trajnimin e mësimdhënësve dhe rishikimin e teksteve shkollore, duke i cilësuar si të paprecedentë.
“Për kohën sa vetë kam qenë ministre dhe për kohën sa ka udhëhequr Qeveria Kurti, unë ndihem shumë mirë, sepse kemi pasur investime dhe reforma, çka nuk kanë ndodhur asnjëherë më parë”, tha Nagavci. Ajo argumentoi se investimet në edukimin e hershëm gjatë Qeverisë Kurti ishin më të mëdha se në të gjitha qeveritë e mëparshme, duke shtuar se studimet tregojnë që edukimi i hershëm është thelbësor për performancën më të mirë të nxënësve.
Ish-ministrja përmendi edhe “bllokadat partiake” nga komunat, të cilat, sipas saj, penguan investimet. Përveç kësaj, ajo vuri në dukje punën në kurrikulën e edukimit të hershëm, trajnimin e mësimdhënësve dhe edukatorëve, si dhe rishikimin e teksteve shkollore, të nisur për herë të parë. Megjithatë, Nagavci paralajmëroi se rezultatet e këtyre veprimeve nuk mund të priten menjëherë, duke deklaruar se: “rezultatet në arsim nuk shihen as brenda ditës, as brenda vitit”.
Në fund, ajo bëri thirrje për një debat të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës për arsimin, duke e cilësuar si një temë që bashkon të gjithë dhe është thelbësore për të ardhmen e fëmijëve dhe të vendit.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur rezultatet e testit PISA për Kosovën treguan se 73% e nxënësve performuan në nivele të ulëta dhe 0% në nivele të larta. Kjo situatë nxiti reagimin e ekspertëve, ku analisti Rron Ahmeti theksoi se vendi po shkon drejt “analfabetizmit funksional total”.
