Nait Hasani rrëfen tmerrin në Burgun e Dubravës: Publikimi i të pavërtetave më vrau shpirtërisht

Ish-i burgosuri politik, Nait Hasani, ka ndarë dëshminë e tij prekëse në emisionin “Kosova Live” në T7, duke sjellë kujtime të rënda nga koha e tij në Burgun e Dubravës. Ai përshkroi kushtet çnjerëzore dhe vuajtjet e thella që kanë përjetuar të burgosurit gjatë luftës.

Në rrëfimin e tij, Hasani theksoi mungesën e kushteve elementare, duke nënvizuar se edhe higjiena mbahej në rrethana tejet të vështira.

“Brenda Burgut të Dubravës, me një brisk jemi rruar 20 apo 30 vetë, dhe me të kemi hequr edhe flokët”, deklaroi ai, duke ilustruar ashpërsinë e kushteve.

Hasani reagoi ashpër edhe ndaj publikimeve që, sipas tij, shtrembërojnë të vërtetën për ngjarjet që kanë ndodhur në burg.

“Të dalë njëri nga tanët dhe të publikojë libër me të pavërteta, mua më ka vrarë shpirtërisht”, theksoi Hasani.

Ky rrëfim vjen në një kohë kur debati për ngjarjet e luftës dhe paraqitjen e tyre publike është rikthyer në qendër të vëmendjes, veçanërisht pas reagimeve të shumta për pasaktësi informacionesh në ekspozitën e fundit.