Ndalen Punimet në Fushë Kosovë, Inspektorati Konstaton Shkelje të Rënda Sigurie
Inspektorati Qendror i Punës (IQP) ka ndaluar punimet në një kantier ndërtimi në rrugën “Elez Berisha” në Fushë Kosovë. Ky vendim erdhi pasi, gjatë një inspektimi, u konstatuan shkelje të rënda që rrezikonin jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
IQP njoftoi se inspektimi u krye menjëherë pas marrjes së informacioneve për rrezikun serioz që paraqiste ky kantier, i cili ndodhet përballë objektit të AAB-së.
Gjatë inspektimit, inspektorët vunë re mungesën e mbrojtësve anësorë të skelave, fiksimin (ankorimin) e pamjaftueshëm të tyre, si dhe hapësira të tjera të pambrojtura në objekt. Të gjitha këto paraqisnin rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e punëtorëve dhe qytetarëve, thuhet në njoftimin e IQP-së.
Për shkak të këtyre shkeljeve dhe me qëllim parandalimin e rrezikut, IQP vendosi ndalimin e menjëhershëm të punimeve. Në kantier u vendos shiriti zyrtar i ndalimit.
Inspektorati Qendror i Punës thekson se mbetet i përkushtuar në mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës dhe do të vazhdojë të ndërmarrë masat e nevojshme ligjore ndaj çdo subjekti që nuk respekton kërkesat për siguri dhe shëndet në punë.
