Ndërhyrja artistike “from MINISTRIA E KULTURËS, RINISË DHE SPORTIT to MINISTRIA E KUTURUSË, PARTISË DHE SHORTIT” është akt artistik proteste kundër arbitraritetit institucional ndaj mënyrës se si arti e kultura trajtohen si instrumente pushteti, privilegj i një rrethi partiak dhe mbi të gjitha si “lojë fati” me rezultat të paracaktuar.

Ndërhyrja në tabelën e objektit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit (ish-Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit) vë në pikëpyetje funksionin e institucionit dhe gjuhën e pushtetit. Vendimmarrja kuturu, mungesa e transparencës dhe paqartësia e kritereve e zbehin vlerën artistike, ndërsa meritokracia mbetet nën hijen e premtimeve institucionale. Mbështetja në thirrjet publike rezulton më shumë si çështje e interesave partiake dhe e shortit politik sesa vlerësim i cilësisë së projekteve kulturore. Artistëve, artisteve dhe organizatave kulturore u mbetet të pyesin në ankesë, nëse kanë aplikuar për të krijuar vepra arti dhe zbatuar projekte kulturore apo për të fituar lotari partiake-politike.

Mbështetja publike duhet të financojë krijimtarinë, të garantojë pluralizmin kulturor dhe të njohë rëndësinë e artit në shoqëri, jo të krijojë varësi institucionale e mekanizma disiplinimi tek krijuesit. Kur financimi bëhet mjet kontrolli, autonomia artistike zëvendësohet nga bindja dhe kritika, ndërsa krijimi kushtëzohet nga afërsia me pushtetin.

“MINISTRIA E KUTURUSË, PARTISË DHE SHORTIT” e zhvendos vëmendjen nga ish emërtimi zyrtar te mënyra si pushteti ushtrohet mbi artin e kulturën. Metafora artistike demaskon rrezikun e instrumentalizimit të kulturës nga interesat partiake dhe të shndërrimit të financimit publik në mekanizëm që përcakton kush mbështetet, kush përjashtohet dhe kush nënshtrohet.

Në thelb ndërhyrje artistike kundërshton nënshtrimin e artistëve dhe punëtorëve të kulturës ndaj pushtetit dhe bën thirrje për transparencë, llogaridhënie e autonomi artistike. Duke hapur debatin shoqëror mbi çështjen se a ekziston institucioni kulturor për t’i shërbyer artit, kulturës dhe shoqërisë, apo arti e kultura duhet / janë shndërruar në mjete për t’i shërbyer pushtetit autoritar dhe liderit autokrat?

Artist & Koncept: I AM I

2026