Anglia mund të përballet me një tjetër situatë kaotike para çerekfinales së Kupës së Botës kundër Norvegjisë, që do të zhvillohet të shtunën në Miami të Floridës.

Skuadra e Thomas Tuchel siguroi një fitore dramatike 3-2 ndaj Meksikës në “Estadio Azteca”, në një ndeshje që nisi në orën 02:00 sipas kohës britanike, respektivisht në orën 19:00 sipas kohës lokale.

Megjithatë, fillimi i takimit u shty për një orë për shkak të stuhive me vetëtima. Sipas protokolleve qeveritare, çdo goditje rrufeje pranë stadiumit detyron ndërprerjen e aktiviteteve në ambient të hapur për të paktën 30 minuta.

Të premten në mbrëmje u raportua se FIFA po planifikonte ta zhvendoste orarin e ndeshjes nga ora 18:00 në 12:00 sipas kohës lokale. “The Athletic” më pas raportoi se, përveç motit të keq, kishte edhe shqetësime të sigurisë.

Por pas diskutimeve me të dy federatat, FIFA vendosi ta mbajë orarin fillestar. Federata Angleze raportohet se ishte “thellësisht e shqetësuar” për planet e ndryshimit dhe kishte theksuar se fillimisht nuk ishte konsultuar.

Tani, Anglia do të përballet me Norvegjinë në çerekfinalen e së shtunës, pasi norvegjezët eliminuan Brazilin me rezultat 2-1 në New Jersey.

Ndeshja do të zhvillohet në Miami, një qytet që javët e fundit është përballur me stuhi dhe temperatura shumë të larta.

Sipas NBC 6 Miami, të shtunën ekziston mundësia për stuhi të izoluara, ndërsa temperaturat mund të arrijnë deri në 33 gradë Celsius. Mundësia për reshje gjatë ditës është rreth 30 për qind.

Anglia tashmë ka përvojë me vonesa të shkaktuara nga moti në SHBA. Para ndeshjes ndaj Meksikës, edhe miqësorja e fundit përgatitore e “Tre Luanëve” kundër Kosta Rikës në Orlando të Floridës ishte shtyrë për një orë për shkak të stuhive dhe shiut.

Trajneri Thomas Tuchel kishte deklaruar atëherë për ITV se vonesa “nuk ishte problem” dhe se Anglia do të kishte mundësinë të përjetonte kushte të tilla para fillimit të Botërorit.

“E dinim këtë më parë, tani po e përjetojmë”, kishte thënë Tuchel.

“Nuk është problem. Nuk duhet të jetë justifikim për ta humbur humorin, durimin apo dëshirën për të luajtur. Nuk ka problem fare.

E kuptuam situatën sa ishim ende në hotel, kështu që ishte e lehtë. Thjesht thamë: nisemi gjysmë ore më vonë me autobus, dhe kaq.”

Si funksionon protokolli i FIFA-s për stuhi

Protokolli që FIFA përdor për mot të keq gjatë Kupës së Botës bazohet në udhëzimet e shërbimeve kombëtare të motit dhe departamenteve qeveritare përkatëse.

Sipas këtij protokolli, nëse një rrufe bie brenda një rrezeje prej tetë deri në 10 milje nga stadiumi, çdo aktivitet në ambient të hapur duhet të pezullohet për të paktën 30 minuta pas goditjes së fundit.

Tifozëve u kërkohet gjithashtu të largohen nga ulëset dhe të kërkojnë strehim, nëse është e mundur. Para ndeshjes Meksikë–Angli ishte dhënë edhe urdhër që tifozët të qëndronin të strehuar në vend.

Nëse një ndeshje duhet të shtyhet për shkak të motit të keq të zgjatur, rregulloret e FIFA-s përcaktojnë se ajo do të rifillojë në një ditë tjetër nga momenti kur është ndërprerë, në rast se kishte nisur tashmë.

Deri tani, rrufetë kanë ndikuar në tri ndeshje të këtij Botërori. Një vonesë dyorëshe ndodhi gjatë pushimit të pjesës së parë në përballjen e fazës së grupeve mes Francës dhe Irakut, para se pjesa e dytë të niste më vonë.

Dy rastet e tjera kanë ndodhur në Meksikë: fillimisht në ndeshjen e Meksikës ndaj Ekuadorit në raundin e 1/16-tës, e cila u shty për një orë, dhe më pas në përballjen e 1/8 së finales kundër Anglisë. /GazetaExpress/