Debat i ashpër në Big Brother VIP: Arbër Hajdari përplaset me Mirin pas ofendimit ndaj Selinit
Një debat i tensionuar ka shpërthyer në shtëpinë e Big Brother VIP mes opinionistit Arbër Hajdari dhe banorit Miri. Shkak u bë mënyra se si Miri trajtoi një situatë ku banorja Selin ishte përballur me fyerje nga një ndjekës jashtë shtëpisë.
Ngjarja ndodhi teksa banorët ishin surprizuar nga produksioni i Big Brother VIP me një vizitë në një ekspozitë makinash. Aty, Selin ishte shënjestër e ofendimeve të rënda nga ana e një personi të panjohur. Më pas, Miri ia tregoi këtë situatë, duke qeshur, banorëve Rogert dhe Edisa, gjë që solli reagimin e ashpër të Arbër Hajdarit gjatë spektaklit.
Hajdari theksoi se veprimi i Mirit ishte i qëllimshëm dhe kishte dy arsye kryesore: “për t’i dhënë zë një gjëje të tillë duke u zgërdhirë”, si dhe për të provokuar e denigruar Selinin në programin më të ndjekur në Shqipëri. Ai e sfidoi Mirin të sqaronte qëndrimin e tij, duke e pyetur nëse e konsideronte Selinin ‘kokrrën e asaj që dëgjoi apo vajzën e tij’, duke nënkuptuar mungesën e respektit dhe empatisë.
Nga ana e tij, Miri u mbrojt duke mohuar se e kishte thënë vetë fyerjen, por Hajdari këmbënguli se sjellja e tij, duke përfshirë edhe gëzimin e dukshëm, linte të kuptohej e kundërta. “E pashë që u gëzove nga një gjë,” i tha Arbri Mirit, duke aluduar se fyesi mund të ishte një person i afërt me Mirin. Debati u ashpërsua kur u diskutua lidhja e personit fyes me Mirin. Opinionisti vuri në pikëpyetje nëse fyesi ishte “robi” i Mirit apo thjesht një fans i tij me inat ndaj Selinit, ndërsa Miri pohoi se e njihte personin, por theksoi se nuk ishte i afërm i tij.
