Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se, bazuar në vendimin e kryetarit Përparim Rama, dhe pas përfundimit të një pjese të punimeve dhe riparimeve infrastrukturore në lagjen Lakrishte, është bërë riorganizimi i qarkullimit të mjeteve motorike në rrugët “Hekurudha” dhe “Vicianum”, duke rikthyer qarkullimin në gjendjen e mëparshme.

Rruga “Hekurudha” do të jetë me një kah të qarkullimit, duke filluar nga kryqëzimi me rrugën “Magjistralja M-2”, në drejtim të rrugëve “Tirana” dhe “Bekim Fehmiu”.

Nga ana tjetër, rruga “Vicianum” do të jetë me një kah të qarkullimit, duke filluar nga kryqëzimi me rrugën “Ahmet Krasniqi”, në drejtim të rrugës “Magjistralja M-2”.

Ndërkaq, rrugët “Bekim Fehmiu” dhe “Tirana” do të vazhdojnë të jenë me dy kahje të qarkullimit.

“Këto ndryshime janë bërë me qëllim të përmirësimit të rrjedhës së trafikut, rritjes së sigurisë në komunikacion dhe pas përfundimit të punimeve infrastrukturore në këtë pjesë të lagjes Lakrishte.

Lusim të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit” deklaron Komuna.