Dale Sanders ka dëshmuar se mosha nuk është domosdoshmërisht pengesë për sfida të mëdha fizike.

Në moshën 91-vjeçare, ai ka përfunduar një nga shtigjet më të njohura të ecjes në Shtetet e Bashkuara, Appalachian Trail, duke u bërë sërish personi më i moshuar që arrin ta përshkojë të gjithë itinerarin.

Sanders, i njohur me nofkën “Grey Beard”, përshkoi rreth 3,530 kilometra nga Xhorxhia deri në Maine.

Udhëtimi ishte jashtëzakonisht i vështirë dhe, sipas tij, gjatë rrugës u rrëzua plot 71 herë, ndërsa gjashtë prej këtyre rrëzimeve ishin serioze.

Njëri prej incidenteve e detyroi të qëndronte për një periudhë të shkurtër në spital, ndërsa një tjetër rrëzim ndodhi vetëm pak metra larg përfundimit të aventurës.

Megjithatë, Sanders nuk u dorëzua.

Ai arriti deri në majën e Mount Katahdin, pikën më të lartë në shtetin e Maine dhe njëkohësisht fundin simbolik të Appalachian Trail.

Pas përfundimit të sfidës, 91-vjeçari u ndal për të falënderuar Zotin, si dhe të gjithë njerëzit që e kishin ndihmuar gjatë rrugëtimit.

Me këtë arritje, Dale Sanders ka shkruar edhe një herë emrin e tij në historinë e Appalachian Trail, duke treguar se vendosmëria dhe këmbëngulja mund t’i sfidojnë edhe kufijtë që zakonisht lidhen me moshën. /GazetaExpress/