Haxhiu thekson rëndësinë e institucioneve të forta dhe të pavarura, përcjell shefin e EULEX-it
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e përfundimit të mandatit të Shefit të Misionit të EULEX-it, Gjeneralmajor Giovanni Pietro Barbano.
Gjatë fjalës së saj, kryetarja Haxhiu theksoi se marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe EULEX-it ka trajtuar çështje të vështira dhe të ndjeshme. Ajo veçoi punën e Misionit në fusha me rëndësi të veçantë për shoqërinë kosovare, duke përfshirë drejtësinë tranzicionale dhe reagimin institucional ndaj dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
“Pikërisht për shkak të ndjeshmërisë së këtyre çështjeve, dialogu ka pasur gjithmonë rëndësi. Institucionet u shërbejnë më së miri qytetarëve kur flasin qartë, dëgjojnë me kujdes dhe e mbajnë përgjegjësinë ndaj qytetarëve në qendër të veprimit,” theksoi kryetarja Haxhiu.
Më tej, kryetarja e Kuvendit vlerësoi Gjeneralmajor Barbanon, duke thënë se gjatë mandatit të tij si Shef i EULEX-it, ai ka bartur një përgjegjësi të rëndësishme në një periudhë delikate. “Kosova vlerëson profesionalizmin, seriozitetin institucional dhe qasjen tuaj respektuese. Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për përgjegjësinë që keni mbajtur në këtë detyrë, si dhe për shërbimin dhe bashkëpunimin tuaj,” u shpreh ajo.
Haxhiu sqaroi se, ndryshe nga misionet ndërkombëtare që për nga natyra e tyre janë të përkohshme, institucionet nuk janë të tilla.
“Prandaj, matësi i vërtetë i bashkëpunimit nuk është sa gjatë qëndron një mision, por sa më të forta, më të përgjegjshme dhe më të pavarura bëhen institucionet shtetërore,” theksoi ajo. Haxhiu shtoi se në Kosovë, institucionet janë forcuar në kapacitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi, duke vazhduar të kryejnë detyrat kushtetuese dhe demokratike që i takojnë Republikës.
Në fund të fjalës së saj, kryetarja e Kuvendit i uroi suksese z. Giovanni Pietro Barbano në angazhimet e tij të ardhshme.
“Shpresoj që nga Kosova të merrni me vete kujtimin e një vendi të ri në shtetësi, të qartë në vullnetin e tij demokratik dhe thellësisht të përkushtuar ndaj drejtësisë dhe të ardhmes evropiane,” përfundoi Haxhiu.
