Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka nisur largimi i shtretërve të dëmtuar nga Klinika e Pediatrisë. Ky veprim ndërmerret me qëllim përmirësimin e kushteve për pacientët dhe stafin shëndetësor, pas reagimeve të forta publike.
Kjo iniciativë vjen në vazhdën e shqetësimeve të ngritura nga një nënë, e cila ndau publikisht përvojën e saj gjatë qëndrimit me fëmijën në objektin e vjetër të Pediatrisë, duke ngritur alarmin për gjendjen e rëndë të infrastrukturës dhe kushteve aty.
Një ditë më parë, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) kishte njoftuar për formimin e një komisioni ad-hoc, i cili do të hetojë dhe shqyrtojë masat administrative ndaj punonjësve shëndetësorë lidhur me rastin.
Largimi i shtretërve të dëmtuar është një nga veprimet konkrete të ndërmarra në përgjigje të kritikave publike për gjendjen infrastrukturore dhe mungesën e kushteve optimale në Klinikën e Pediatrisë.
