**Zgjedhjet e 7 Qershorit: Nesër Mbyllet Afati për Certifikimin e Subjekteve të Reja Politike**

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se nesër, më 10 maj, përfundon afati për aplikimin dhe certifikimin e subjekteve të reja politike, si nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Dy ditë më vonë, më 12 maj, të gjitha subjektet politike duhet të dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve.

Afati i caktuar nga KQZ, deri në orën 24:00 të datës 10 maj, vlen specifikisht për formacionet e reja politike që dëshirojnë të garojnë në zgjedhje. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar për Ekonomia Online se ky proces certifikimi aplikohet vetëm për koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur. Partitë politike ekzistuese, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, konsiderohen të certifikuara automatikisht.

Elezi ka theksuar se këto subjekte të reja duhet të dorëzojnë aplikimin online në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar pranë KQZ-së.

Ndërkohë, më 12 maj, mbyllen dyert për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet për Kuvend. Ky afat 11-ditor prek të gjitha subjektet politike – partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur. Procedura e dorëzimit të listave bëhet përmes platformës elektronike, e ngjashme me zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar, shtoi Elezi.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi gjithsej 1,180 kandidatë për deputetë nga 24 subjekte politike. Nga këto, 18 ishin parti politike, 3 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Deri më sot, nga 53 parti politike të regjistruara në Kosovë, 22 prej tyre kanë deklaruar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa 9 të tjera kanë njoftuar mospjesëmarrjen. Gjithashtu, janë formuar 3 koalicione të reja.

Partitë politike që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë:
1. Partia Socialdemokrate
2. Kosovaki Nevi Romani Partia
3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve
4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak
5. Srpska Lista
6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi
7. Lidhja Demokratike e Kosovës
8. Fjala
9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës
10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK
11. Socialdemokratska Unija
12. Jedinstvena Goranska Partija
13. Kosova Demokratik Türk Partisi
14. Nova Demokratska Stranka
15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës
16. Kosovski Savez
17. Partia Balliste
18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale
19. Partia Liberale Egjiptiane
20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
21. Stranka Demokratske Akcije
22. Partia Demokratike e Kosovës

Partitë politike që kanë deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë:
1. Partia Demokratike e Unitetit
2. Balli Kombëtar i Kosovës
3. Lëvizja Qytetare Vatra
4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava
5. Partia e Drejtësisë
6. Srpski Narodni Pokret
7. Partia Reforma Demokratike
8. Aleanca Kosova e Re
9. Nisma Socialdemokrate

Koalicionet e formuara janë:
1. Koalicioni VAKAT (i përbërë nga Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan)
2. Ashkalitë e Bashkuar (i përbërë nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim)
3. Lëvizja VETËVENDOSJE! (e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane)