Nesër gjykohet vrasja e Auron Thaqit, dëshmojnë pjesëtarë të Njësisë Speciale
Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, nesër (e premte) në orën 13:15, do të mbahet seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së 26-vjeçarit Auron Thaqi. Thaqi humbi jetën pas një sulmi me thikë në shtator të vitit 2023.
Në këtë seancë pritet të dëshmojnë disa pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, si dhe dëshmitari Andi Isufi.
Sipas dosjes së rastit, Thaqi u plagos rëndë në Prizren dhe më pas u dërgua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku nuk mundi t’u mbijetojë plagëve. Dyshohet se pas sulmit ai është hedhur nga një veturë në lëvizje.
Për këtë rast, në paraburgim ndodhen dy të dyshuar: Enes Ay dhe Hajrullah Brcani. Enes Ay po hetohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekjen”, ndërsa Hajrullah Brcani për veprat “Mosdhënie e ndihmës” dhe “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”.
Rasti ka tronditur opinionin publik për shkak të rrethanave të rënda të ngjarjes, ndërsa familja e Auron Thaqit vazhdon të kërkojë drejtësi. Procesi gjyqësor vazhdon në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
