Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të vizitojë Washingtonin të hënën e ardhshme për t’u takuar me Presidentin Donald Trump. Kjo sipas një burimi izraelit të njohur me çështjen, siç raporton CNN.
Burimi bëri të ditur se dy liderët do të diskutojnë çështjen e Iranit dhe një marrëveshje të re sigurie midis Izraelit dhe SHBA-së. Marrëveshja aktuale, sipas së cilës Izraeli përfiton 3.8 miliardë dollarë në vit, skadon në vitin 2028.
Normalizimi i marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite do të jetë gjithashtu në rend dite, pohoi burimi, duke theksuar se kjo ka qenë një prioritet për Trumpin. Udhëheqësit sauditë, megjithatë, kanë theksuar vazhdimisht se nuk do të avancojnë drejt normalizimit pa një rrugë të besueshme drejt krijimit të një shteti palestinez.
Dy liderët, të cilët nuk janë takuar personalisht që prej fillimit të konfliktit me Iranin, biseduan në telefon të premten mbrëma dhe ranë dakord të caktojnë një takim në të ardhmen e afërt. Gjatë një interviste për Axios të shtunën, Trump deklaroi se Netanyahu “e di kush është shefi”.
CNN kishte raportuar në mes të qershorit se Netanyahu kishte kërkuar një takim “urgjent” me Trumpin, në sfondin e rritjes së tensioneve lidhur me negociatat me Iranin dhe armëpushimin me Hezbollahun në Liban. Në atë kohë, Zyra e Kryeministrit e kishte mohuar këtë raportim.
